Rrëfimi për Michael Schumacher që po ‘trondit’ botën e sportit

27 Nëntor 2025, 20:10Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Michael Schumacher

Miku i hershëm i Michael Schumacher, Richard Hopkins, ka folur me tone të forta, por të sinqerta, për gjendjen e legjendës së Formula 1, duke thënë hapur se “nuk mendoj se do ta shohim më përsëri Michaelin”.

Që prej aksidentit të rëndë me ski në dhjetor të vitit 2013, kur Schumacher pësoi lëndime të rënda në kokë dhe u vendos në një komë të shkaktuar nga mjekësia, ai është tërhequr plotësisht nga jeta publike dhe qëndron nën kujdes të plotë në shtëpinë e tij pranë Liqenit të Gjenevës, ku gruaja e tij Corinna dhe një ekip i përzgjedhur profesionistësh mjekësorë kujdesen për të, ndërsa çdo informacion rreth gjendjes së tij ruhet në mënyrë strikte.

Hopkins, ish-drejtor i operacioneve në Red Bull dhe anëtar i hershëm i McLaren, ka treguar se “kohët e fundit nuk kam dëgjuar asgjë” dhe se “për aq sa di unë, ai ka një mjek personal nga Finlanda”.

Ai shton se ndihet në siklet të flasë për shëndetin e tij sepse “familja dëshiron privatësi të plotë për një arsye”.

Rrëfimi për Michael Schumacher që po ‘trondit’

Sipas tij, vetëm një grup shumë i kufizuar njerëzish kanë qasje te Schumacher, ku përfshihen Jean Todt, Ross Brawn dhe Gerhard Berger, dhe bindja e tij është se “as Rossi, edhe sikur ta pyesje si mikun e tij më të mirë, nuk do të zbulonte asgjë”.

Ai pranon se edhe në rast se do të dinte më shumë, “familja do të zhgënjehej nëse do ta ndaja”.

Hopkins kujton takimin e tyre në fillim të viteve ’90, kur Schumacher garonte me Benetton dhe ai punonte si mekanik te McLaren, duke përshkruar se si u bënë të afërt dhe ndanin shpesh momente të thjeshta si pushimet për kafe.

Ai thotë se Michael kishte “të gjitha cilësitë e një kampioni bote, si të mira ashtu edhe më pak të mira”, por se larg pistës ishte një njeri krejt i ndryshëm, “një baba dhe bashkëshort i shkëlqyer”.

Ndërkohë, familja mbetet plotësisht e vendosur të mos zbulojë detaje rreth gjendjes së tij dhe publiku nuk e ka parë kampionin me 7 tituj botërorë dhe 155 podiume për më shumë se një dekadë, duke e mbajtur misterin rreth tij më të mbyllur se kurrë.


Video