Nga Kroacia në Rusi e Iran, shqiptarët “shpërthejnë” në gola

23 Nëntor 2025, 16:48Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Hoxha, Asani e Daku, sinjale pozitive për Sylvinho

Play-off-i i Botërorit ka rritur euforinë te futbollistët e kombëtares shqiptare.

Reparti i sulmit gjeti golin me skuadrat respektive, madje duke realizuar rrjeta vendimtare dhe dhënë fitoren ekipit të tyre. Në 80 minutat e tij në fushë, Arbër Hoxha shënoi një dopietë golash në fitoren 3-1 që Dinamo e Zagrebit regjistroi kundër Varazdin.

I shndërruar edhe në titullar fiks te kroatët, Hoxha shpërblen besimin me dy gola për t’u ngjitur në kuotën e 5 rrjetave personale këtë sezon. Një performancë e mirë që vjen pas zgjedhjes si futbollisti i muajit në Kroaci.

Dy muaj zgjati pritja e Mirlind Dakut për të gjetur golin. Sulmuesi, i cili nuk u preferua në dy ndeshjet e muajit nëntor nga trajneri Sylvinho, i dha fitoren 1-0 Rubin Kazanit në kampionatin rus. 27-vjeçari shënoi në minutën e 75-të, teksa pak minuta më vonë u zëvendësua për shkak dëmtimi. Ky ishte goli i 9-të për Dakun në kampionat dhe i dhjeti në total.

Jasir Asani shmang turpërimin e Esteghlalit dhe kualifikon skuadrën e tij në raundin tjetër të Kupës. 30-vjeçari bëri gjithçka në përmbysjen 2-1 pas kohës shtesë kundër Padyab, për ta dërguar ekipin iranian në raundin e 16 më të mirave të kompeticionit.

Asani dërgoi sfidën në shtesë me një gol në minutën e 89-të, ndërsa më pas në shtesën e parë realizoi golin me vlerë kualifikimi. Formë e jashtëzakonshme për sulmin kuqezi, që gëzon edhe teknikun e kombëtares shqiptare, Sylvinho, për të përgatitur siç duhet sfidat e muajit mars, atë play-off ndaj Polonisë.


Video