Mallkimi/ 4 arsyet pse Interi nuk do të ketë fundin e 2022-shit

8 Shkurt 2024, 12:16Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Simone Inzagi dhe Interi duan të shkruajnë një histori të bukur këtë herë. Ndryshe nga ajo e sezonit 2021-2022, kur e humbën titullin kampion në 3 ndeshje: derbin e Milanos, me Sasuolon dhe në shtesë ndaj Bolonjës. Shumë lojtarë janë prezentë dhe duan të harrojnë atë vit. Ja 4 arsyet për të besuar se nuk do të ndodhë më e njëjta dramë.

ORGANIKA- Në krahasim me atë sezon, organika është më e plotë dhe me lojtarë të rëndësishëm. Në stol aktualisht ndodhen De Vraj, Bisek dhe njëri mes Darmianit dhe Dumfrisit, në mesfushë Asllani, Karlos Augusto dhe dy sulmuesit Arnautoviç-Sançez. Duhet ende të zbulojmë Bjukenën dhe të tjerët si Klasen dhe Sensi. Në atë kohë ishin D’Ambrozio, Ranokia, Dimarko, Kolarov, Darmian, Galjardini, Vesino, Vidal, Gosens, Korrea dhe Sancezz.

MBROJTJA- Pikët në krahasim me atë sezon ishin +4 nga ndjekësja më e afërt që ishte Milani, por shifrat në mbrojtje nuk ishin kaq të jashtëzakonshme si këtë herë. Interi kishte pësuar 17 gola, ndërsa ky aktuali vetëm 10. Një diferencë jo e vogël duke parë që në 22 ndeshje, Zomer e ka mbajtur portën të paprekur 14 herë.

EKSPERIENCË- Në këtë sezon, Interi ka disa lojtarë që janë më të mësuar me fitoret, më ekspertë dhe të aftë për të menaxhuar presionin falë të shkuarës. Zomer në portë ka bërë që askush të mos qajë për ish-kapitenin Handanoviç. Pavar gjithashtu është një kampion dhe Açerbi ka eksperiencë. Për më tepër në mesfushë është një “kompjuter” si Mkhitarian që luan futboll spektakolar dhe është përshtatur mjaft mirë.

TË URITUR- Interi i sezonit 2021-2022 vinte nga fitorja e titullit kampion një vit më parë me Antonio Konten dhe ndoshta dikush e kishte “barkun” plot, ose ndihej shumë i sigurt në krye të klasifikimit. Këtë herë nuk ka më gabime të tilla. Shumë lojtarë janë të rinj dhe nuk kanë fituar kurrë titullin kampion. Ky mund të jetë viti i tyre./panoramasport

Video