Kosova shkruan historinë, mund Suedinë dhe tani është shumë afër play off-it të Botërorit

13 Tetor 2025, 23:02Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kosova ka marrë një fitore të jashtëzakonshme në Goteborg ndaj Suedisë.

Djemtë e trajnerit Franko Foda shkëlqyen edhe njëherë përballë Suedisë së yjeve si Isak dhe Gyokeres, duke i mposhtur me rezultatin 0-1 në sfidën e luajtur mbrëmjen e sotme në Goteborg.

Dardanët e nisën direkt në sulm, Muriqi provon të gjejë golin me rroveshatë në minutën e 2′, por topi përfundon shumë larg kuadratit të portës.

Në minutën e 9′, Isak godet me kokë pas topit të ardhur nga goditja e këndit, por Aro Muric tregohet i vëmendshëm. Në minutën e 20′, Gyokeres pengohet me këmbët e Aro Muric dhe kërkon penallti, arbitri vazhdon lojën.

Në minutën e 31-të, Kosova gjeti avantazhin. Goditja nga jashtë zone e Vedat Muriqit devijohet dhe më pas dërgohet në rrjetë nga Fisnik Asllani. Ky është goli i parë për Kosovën për sulmuesin 23-vjeçar që luan me Hoffenheim, që sigurisht duhej festuar me shqiponjë.

Në fund të pjesës së parë, Kosova i afrohet golit të dytë, goditja e parë nga Muriqi ndalet nga portieri suedez Johansson, ndërsa goditja e dytë nga Leon Avdullahu ndalet nga shtylla. Pjesa e parë mbyllet 0-1 për Dardanët.

Suedezët e nisin pjesën e dytë me tre zëvendësime dhe direkt në sulm. Në minutën e 47-të, Gyokeres provon të shënojë me kokë pas krosimit që mori nga Elanga, por goditja e tij ishte shumë e lehtë për Aro Muric.

Në minutat në vijim, Suedia provoi të gjente golin e barazimit me çdo mënyrë. Në minutën e 70-të, trajneri i Kosovës, Franco Foda, hedh në fushë Edon Zhegrovën në vend të Fisnik Asllanit.

Rezultati nuk ndryshon deri në fund. Kosova fiton 0-1 dhe tani ka shanse të mëdha për të shkuar në play-off. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Sllovenia dhe Zvicra u mjaftuan me një barazim pa gola.

Dardanët shkëputen ndjeshëm ndaj Sllovenisë dhe Suedisë, që kanë përkatësisht 3 dhe 1 pikë.

Në vendin e parë qëndron Zvicra me 10 pikë.

Situata në grupin B pas 4 ndeshjesh është si më poshtë:

1- Zvicra 10 pikë

2- Kosova 7 pikë

3- Sllovenia 3 pikë

4- Suedia 1 pikë

Ndeshjet e ardhshme më 15 nëntor: Slloveni-Kosove dhe Zvicër-Suedi.


Video