Intrigë te Bayern: Përzihet si “spiun” përgatitësi i portierëve dhe mik i Neuer

24 Janar 2023, 21:25Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tapalovic dhe Neuer

Disa të dhëna, mund të bëjnë një provë. Ose të paktën një dyshim. Te Bayern Mynih janë të shqetësuar për të ardhmen e Manuel Neuer. Portieri (37 vjeç në mars) ka thyer tibian e fibulën duke bërë ski pak ditë para natës së ndërrimit të viteve. Në Gjermani, shumë kanë ngritur dyshimin se ai mund edhe të mos kthehet. Ose të paktën jo si titullar. E tërmeti i fundit në Bavari duket se konfirmon se ekuilibri po ndryshon. Bayern në fakt ka shkarkuar, papritur, Toni Tapalovic, i cili punonte në Bavari prej 11 vitesh e gjysmë si trajner portierësh. Ai që e solli në klubin më të rëndësishëm në vend ishte pikërisht Neuer, që ndante dhomën e zhveshjes me Tapalovic në kohën e Schalke 04.

SITUATA

Shumë e quajnë Tapalovic “gjeniun pas Neuerit”. Nëse portieri gjerman ka krijuar një mënyrë të re për të interpretuar rolin, merita i takon edhe Tapalovic. Ai ka pasur gjithmonë një filozofi të veçantë loje, duke ndikuar te Neuer. “I dashur Toni, sot përfundon një epokë te Bayern – shkruan Neuer në rrjetet sociale -. Pas 11 vitesh e gjysmë, ikën jo vetëm një pionier i mënyrës moderne të lojës së portierëve, por mbi të gjitha një njeri i madh. Të gjithë, jo vetëm në Mynih, e dinë se sukseset e arritura, pa ty nuk do të ishin të mundura. Më ke formësuar dhe përmirësuar edhe mua e mënyrën time të lojës. Do të më mungosh”. Vetë Tapalovic u shpreh “i befasuar që më shumë se një dekadë punë përfundoi kaq papritur”. Drejtori sportiv i Bayern, Salihamidzic, shpjegoi në mënyrë të përciptë arsyet: “Disa vizione të ndryshme se si të interpretohet bashkëpunimi çuan në këtë ndarje”. Referenca, edhe pse indirekte, është për Julian Nagelsmann. Tekniku nuk shkonte aspak mirë me Tapalovic.

POLEMIKA

Sipas rikonstruksioneve të para, trajneri i Bayern kishte kuptuar se disa nga konsideratat e tij nuk mbetën ekskluzivitet i stafit teknik. Në fakt, hipotezohet se Tapalovic i ka ndarë ato me mikun e tij Neuer. Portieri pastaj i ka shpërndarë brenda dhomave të zhveshjes. Për më tepër, ditët e fundit, trajneri i portierëve të Bayern mori një kritikë shumë të rëndë. Gjatë një programi televiziv të transmetuar nga Zdf, portieri Alexander Nübel, që Bayern e huazoi te Monaco, u ankua publikisht për marrëdhënien inekzistente me Tapalovic. “Unë mendoj se duhet të kishte pasur më shumë kontakte me trajnerin e portierëve gjatë periudhës sime të huazimit në Monte-Carlo,” tha Nübel -. Duhej të informohej për mua, por nuk ndodhi. Ai është mik i ngushtë i Neuer, por duhet të stërvitë portierët dhe të mendojë për rritjen e tyre. Klubi nga ana tjetër, e ka ndjekur pak më shumë rrugëtimin tim. Herë pas here ka pasur kontakte. Në verë do të takohemi për të kuptuar se cila është gjëja më e mirë për të bërë. Nëse duhet të kthehem, apo të shkoj diku tjetër”.

E ARDHMJA

Vendimi për të shkarkuar Tapalovic mund të interpretohet si fillimi i deklasimit të Neuer. Pa Tapalovic, portieri fillon të humbasë peshë dhe fuqi brenda klubit. Jo vetëm kaq: kontrata e kapitenit aktual të Bayern skadon në vitin 2024. Ndërsa ajo e Sommer, i sapo marrë nga Gladbach, përfundon në vitin 2025. Zvicerani është dy vjet e gjysmë më i ri se Neuer dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme serioze fizike, si ato të ndërkombëtarit gjerman. Ky mund të jetë gjithashtu një tregues se Bayern ka filluar të planifikojë të ardhmen pa Neuer. Ose të paktën që dikush brenda klubit dyshon se është e drejtë ta bëjë këtë.

Video