6 vite më pas, Paul Pogba rikthehet sërish në Torino, që nga ajo kohë nuk kanë ndryshuar shumë gjëra, ylli francez pritet sërish me padurim nga fansat dhe nga trajneri Max Allegri.
Pogba gjithashtu pret me padurim për të nisur këtë aventurë të re, me shpresën për të lënë pas vitet aspak të lumtura të kaluara në “Old Traford”. Pogba zbarkoi në Torino me një avion privat në shoqërinë e bashkëshortes së tij.
“Jam shumë i lumtur që jam rikthyer”, u shpreh fillimisht Pogba përpara se ti drejtohej Continassa-s, qendrës stërvitore: “Është bukur t’iu ri shoh sërish”.
Pogba firmos në këtë mënyrë një kontratë 3-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit. Pogba do të përfitojë 7,5-8 milionë euro në sezon, ku përfshihen edhe bonuse të ndryshme.
Zyrtarisht u prezantua edhe Angel Di Maria. Argjentinasi firmosi një kontratë 1 vjeçare nga ku do të përfitojë 5,5 milionë euro në sezon. Di Maria do të mbajë të veshur fanellën me numrin 22: “Për mua është një etapë e re dhe jam shume, shumë i lumtur. Që në momentin e parë kuptova që Juve është një familje e madhe që kujdeset për ty, për mua kjo ka shumë rëndësi”, theksoi Di Maria.
Juventuesi i ri po shndërrohet në një skuadër të frikshme pasi “Zonja e Vjetër” ka në tavolinë edhe dy objektiva, Koulibaly dhe Zaniolo. Qendërmbrojtësi ka refuzuar së fundmi ofertën e Napolit për të rinovuar kontratën. Të dy këto objektiva final të Juves janë të lidhura me shitjen e De Ligt, holandezi është vetëm një hap larg transferimit te Bayern Munich.