Didier Deschamps nuk do të jetë më trajner i kombëtares franceze pas kupës së botës 2026. Tekniku 56-vjeçar ka njoftuar se nuk do të rinovojë kontratën me Gjelat dhe aventura e tij në botërorin e vitit të ardhshëm, do të jetë e fundit në krye të përfaqësueses franceze.
Në krye të Gjelave, Didier Deschamps ka regjistruar disa suksese, por më kryesorja ka qenë Kupa e Botës 2018 ku francezët mundën në finale 4-2 Kroacinë dhe fituan për herë të dytë në histori, por pa harruar dhe dy finalet e humbura në Evropianin e 2016 dhe Botërorin e 2022.
Deschamps kërkon ta mbyllë në mënyrën më të mirë me përfaqësuesen franceze. Detyra e radhës është Liga e Kombeve në mesin e muajit mars ku Gjelat do të përballen me Kroacinë në çerekfinale dhe pse jo ambiciet janë për të përsëritur suksesin e vitit 2021, ku dolën fitues nga ky kompeticion.
Botërori i 2026 është gjithçka për Deschamp që në rast të një suksesi, do të ishte mbylla perfekte me përfaqësuesen franceze.
Menjëherë pas konfirmimit, kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat që mund të ulen në kombëtaren e “Gjelave”.
Sipas raportimeve nga Franca, favoriti absolut për të marrë drejtimin e kombëtares është Zinedine Zidane. Pas largimit nga Real Madrid, 52-vjeçari është pa një skuadër dhe gjithmonë e ka shprehur dëshirën e tij të për të marrë drejtimin e Francës.
Duket se kjo dëshirë e Zidane do të realizohet në vitin 2026, pas Botërorit. Në listë për stolin e kombëtares së madhe është edhe ish-sulmuesi Thierry Henry, i cili ka lënë shije të mirë në Federatë, pasi drejtoi Francën në Olimpiadë.