David prezantohet te Juventus: Mund të përsëris 25 golat e Lille edhe në Itali, zgjodha numrin 30 për babain tim

30 Korrik 2025, 16:43Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Jonathan David

“Puna ime është të shënoj gola dhe mendoj se mund të përsëris 25 golat e Lille edhe në Itali, jam ambicioz si Juventusi dhe kam ardhur këtu për t’u bërë një nga sulmuesit më të mirë në botë”. Fjalët janë të Jonathan David, i ardhur te bardhezinjtë si lojtar i lirë pas 77 golave në tre sezonet e fundit në Francë.

“Java e parë ka shkuar mirë – thekson kanadezi nën sytë e drejtuesve Comolli, Chiellini dhe Modesto – dhe shokët e skuadrës më kanë ndihmuar shumë.

Biseda me Tudor ishte shumë pozitive, jam i ri dhe ai ma sqaroi qartë çfarë pret nga unë si sulmues i parë. Nuk pres të jem gjithmonë titullar, por do të jap më të mirën. Puna ime është të shënoj. Të realizoj sërish 25 gola? Pse jo… mendoj se mund t’ia dal: do të jetë një sfidë e madhe, Serie A është më taktike dhe më mbrojtëse”.

Juventus dhe titulli

David kishte shumë kërkesa, në Itali dhe në Premier League, por në fund dëshiroi me ngulm bardhezinjtë. “Diskutuam me drejtuesit dhe me shokët e skuadrës – vazhdon David – kishte një interes të madh. Juventusi ishte klubi që preferoja dhe në fund u gjenda në Itali. Titulli? Çdo vit dhe çdo sezon mund të jetë ai i duhuri për t’u rikthyer te fitorja. Kampionati është i vështirë, por duhet pasur ambicia për të shkuar deri në fund”.

Nga objektivat e skuadrës te ato personale. “Unë fitues i Topit të Artë në të ardhmen? Nuk shkoj kaq larg, por nëse jam këtu është sepse dua të bëhem një nga sulmuesit më të mirë në botë. Juventusi është një klub i madh dhe ka pasur shumë legjenda si Del Piero, Trezeguet, Cristiano Ronaldo, Higuain, Dybala…”

Numri 30 për babain

Lojtari i ri i Juventus do të luajë me numrin 30: “E kam zgjedhur për babain tim, kam nisur të luaj për të. Jam shumë fetar dhe mendoj se është e rëndësishme të kesh besim për të arritur majat. Unë, Iceman? Jam shumë i ftohtë dhe kjo më ndihmon në lojë. Kam shënuar kundër ekipeve të mëdha sepse jam konkurrues dhe më pëlqen të shënoj gola. Kur isha i vogël kisha disa modele, nga Drogba te Eto’o”, tha David.


Video