Bonucci: Nëse Juventusi dëshiron të fitojë menjëherë, të marrë Conten. Thiago Motta ka nevojë për kohë

11 Mars 2025, 18:04Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Leonardo Bonucci

E ardhmja e Thiago Mottës është një temë e nxehtë në Itali. Leonardo Bonucci, ish-mbrojtësi historik i Juventusit, ka shprehur mendimin e tij për “Gazzetta dello Sport” lidhur me një mundësi të konfirmimit të trajnerit italo-brazilian, edhe në rast të moskualifikimit në Champions League:

“Kjo varet nga objektivat e klubit, i cili gjatë verës investoi te disa lojtarë, por edhe te të rinjtë që ka vlerësuar. Nëse dëshiron të fitosh menjëherë, në qershor ndryshon dhe merr Conten, përndryshe i jep kohë Mottës dhe Giuntolit për të ndërtuar bazat dhe rikthyer te suksesi.

Sigurisht që prisja një rritje më të madhe, por tani bardhezinjtë duhet të bashkohen për objektivin e vetëm që ka mbetur, kualifikimi në Ligën e Kampionëve (për edicionin e ardhshëm), i cili gjithsesi është një ngushëllim i vogël”.

Bonucci pranon se nuk është i kënaqur: “Megjithatë, një projekt ka nevojë për kohë dhe harmoni në nivel drejtues. Motta aktualisht ka një projekt të paqëndrueshëm, por duhet t’i jepet besim të paktën edhe për një vit tjetër për të krijuar kushtet për të fituar. Sigurisht, edhe ai duhet të rritet.

Duhet të kuptojë se të stërvitësh Juven është një botë më vete, ai është i zgjuar dhe duhet të kuptojë cilat janë pjesët që duhen përmirësuar. Edhe te Bolonja pati vështirësi në fillim, por te Juve luhet për të fituar, është gjithçka ndryshe.

Nuk është e drejtë t’ia ngarkosh të gjitha përgjegjësitë atij pas vetëm 8 muajsh, por Motta duhet të bëjë një hap përpara edhe në nivel komunikimi. Të thuash ‘jemi të trishtuar dhe të zhgënjyer’ nuk mjafton”.

Megjithatë, sipas Bonuccit, nuk është gjithçka për t’u hedhur poshtë: “Kam besim se, nëse qëndron Thiago, mund të dalë diçka pozitive. Ai i ka dhënë mundësinë Juves të dominojë ndeshjet në aspektin e lojës, por kjo nuk do të thotë të fitosh.

Me rritjen e të rinjve dhe përfshirjen e 2-3 lojtarëve të nivelit të lartë, sezonin e ardhshëm do të ketë bazat për një hap më lart. Sot nuk ka një skuadër për titull, por nëse do të kishte fituar ndaj Atalantës, mos ta harrojmë, Juve do të ishte ende në garë për titull”.

Leonardo Bonucci ka folur gjithashtu për lojtarët individualë të Juventusit gjatë intervistës, duke u përqendruar kryesisht te Teun Koopmeiners: “Pse ka vështirësi? Kur ndryshon klub dhe mjedis, fshin gjithçka që ke krijuar. Nëse nuk hyn në një skuadër që është tashmë e konsoliduar, gjithçka bëhet më e komplikuar. Më ka ndodhur edhe mua te Milani, ndaj nëse nuk ke personalitet të madh, do të kesh edhe më shumë vështirësi”.

Nga çfarë mund të fillohet përsëri?

“Yildiz ka luajtur shumë më tepër se nën drejtimin e Allegrit dhe tani mund ta shesin për 70-80 milionë euro. E vlerësoj pozitivisht Thuram, edhe Di Gregorio po bën mirë. Pra, ka diçka për ta shpëtuar këtë sezon te Juventusi. Kenan e mbaj mend nga viti 2022, kur bëmë një ndeshje me U-19. Kur kishte topin, vinte dhe na sulmonte mua e Danilo pa frikë. Vlen kaq para, sepse për moshën e tij ka treguar se është lojtar i rëndësishëm. Nëse Juventusi do të ketë forcën ta mbajë, është një nga ata prej të cilëve mund të rifillohet, edhe pse ende nuk i ka treguar të gjitha cilësitë e tij. Ai sjell entuziazëm për tifozët dhe ka goditje, por për t’u renditur në kategorinë e Yamal duhet të rritet shumë dhe të jetë më pak egoist. Në ndeshjen e parë me Atalantën duhej ta kalonte topin te Mbangula”.

Vlahovic, a duhet të largohet?

“Nëse qëndron Motta, nuk besoj se mund të mbetet. Në fillim luajti shumë, pastaj diçka ka ndryshuar”.

Video