Boksierja italiane Angela Carini thotë se ajo “dëshiron t'i kërkojë falje” Imane Khelif për mënyrën se si i trajtoi momentet pas përballjes së tyre të diskutueshme në Lojërat Olimpike dhe se “do ta mbështeste” nëse do ta shihte përsëri.
Carini braktisi garën pas vetëm 46 sekondash, kur Khelif e qëlloi me grusht në mjekër. Pasi dora e Khelif u ngrit për të sinjalizuar fitoren e saj, Carini ra në gjunjë dhe duke qarë refuzoi t’i jepte dorën kundërshtares së saj.
“Nuk është e drejtë, nuk është e drejtë”, i tha ajo trajnerit të saj para se të largohej menjëherë nga ringu me hundë të thyer. 25-vjeçarja u tha gazetarëve se kurrë nuk ishte goditur kaq fort në karrierën e saj.
Vitin e kaluar, Khelif u skualifikua nga Kampionatin Botëror të femrave në Nju Delhi për dështimin e testit të përshtatshmërisë gjinore. Shoqata Ndërkombëtare e Boksit (IBA) tha se ajo nuk arriti të përmbushte kriteret e tyre të pranueshmërisë, të cilat i pengojnë atletët me kromozome XY mashkull të konkurrojnë në garat e grave. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), i cili drejton garën olimpike të boksit pasi ia hoqi IBA-së njohjen si federata globale e sportit vitin e kaluar, ka rregulla të ndryshme rreth përshtatshmërisë gjinore dhe nuk e ka të detyrueshëm kryerjen e testit të kromozomeve.
IBA nuk specifikoi pse boksierja dështoi në testin e saj të përshtatshmërisë gjinore, por sqaroi se ajo nuk iu nënshtrua ekzaminimeve të testosteronit. Khelif nuk identifikohet si transgjinor apo interseks.
Carini tani ka thënë se i vjen keq se si e trajtoi pas ndeshjes duke mos i shtrënguar dorën kundërshtares të saj dhe se nuk mban mëri ndaj saj.
“E gjithë kjo polemikë më bën të trishtuar”, tha Carini në një intervistë me gazetën italiane Gazzetta dello Sport. “Më vjen keq edhe për kundërshtaren time. Nëse IOC tha se ajo mund të luftojë, unë e respektoj atë vendim.
“Nuk ishte diçka që kisha ndërmend ta bëja [mos ia shtrëngoja dorën]. Në fakt, dua t'i kërkoj falje asaj dhe gjithë të tjerëve. Isha e inatosur sepse Olimpiada ime kishte marrë fund. Nuk kam asgjë kundër Khelifit. Në fakt, nëse do ta takoja përsëri, do ta mbështesja”, tha ajo.