Armando Broja, dështim te Fulham

17 Mars 2024, 16:22Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Armando Broja

Armando Broja do të rikthehet tek Chelsea në fund të sezonit. Sulmuesi shqiptar nuk është preferuar sërish te Fulham në fitoren 3-0 ndaj Tottenham, duke konfirmuar se 22-vjeçari nuk është një zgjedhje në radhët e londinezëve.

Mbi të gjitha, me 9 takime nga fundi, Fulham do të aplikojë pagesën prej rreth 5 milionë eurosh në arkat e ‘bluve’, pasi Broja nuk ka mundësi për të siguruar 10 përballje si titullarë në radhët e skuadrës bardhezi deri në fund të sezonit.

Një fitim që zakonisht bëhet kur një futbollist në huazim dhuron performanca të mira, por në rastin e Brojës është e kundërta. Për të inkurajuar Fulhamin të luante, Chelsea pranoi të hiqte dorë nga një tarifë huazimi nëse sulmuesi e niste titullar në 60 për qind të ndeshjeve.

Por, sulmuesi nuk ka nisur asnjë ndeshje të Premierligës që kur firmosi në Londrën Perëndimore. Armando Broja ka luajtur vetëm 47 minuta në radhët e Fulham në 4 takime si zëvendësues.

Gjatë kësaj periudhe kohore, 22-vjeçari ka krijuar një rast për gol, pra një asist për shokët e skuadrës, ndërsa ka tentuar vetëm 2 herë portën kundërshtare. Konkurrenca e shtuar në radhët e Fulham ka bërë që Broja të mos preferohet të hidhet në fushë, për të ndikuar jo pak edhe në humorin e sulmuesit shqiptar.

Video