
Bayern Munich dhe Arsenal kanë dhuruar një përballje spektakolare në “Allianz Arena”, duke u ndarë në barazim 2-2. Sfida u karakterizua nga ritmi i lartë, rastet e shumta dhe emocionet deri në minutat e fundit.
Arsenali kaloi i pari në avantazh në minutën e 25-të me Eze. Fillimisht, goli u anulua për pozicion jashtë loje, por pas ndërhyrjes së VAR-it, u konfirmua si i rregullt, duke u dhënë londinezëve epërsinë 0-1.
Reagimi i Bayern Munich nuk vonoi. Në minutën e 35-të, Harry Kane dhuroi një asist të shkëlqyer për Alphonso Davies, i cili përballë Raya-s nuk gaboi, duke rikthyer baraspeshën në 1-1. Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë, bavarezët u treguan më kërkues dhe në minutën e 59-të fituan një penallti, pasi topi preku dorën e Timber në zonë. Dy minuta më vonë, Harry Kane u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke përmbysur rezultatin në 2-1 për skuadrën gjermane.
Arsenali nuk u dorëzua dhe vazhdoi të kërkonte golin e barazimit. Përpjekjet e skuadrës londineze u shpërblyen në minutën e 82-të, kur Gyokeres shërbeu në zonë për Declan Rice, i cili me një goditje të saktë me të djathtën mposhti Neuerin dhe vulosi rezultatin përfundimtar 2-2.
Interi ka marrë fitoren e parë në këtë edicion të Champions League, duke mposhtur me rezultatin 1-0 Shakhtar Donetsk në “San Siro”.
Zikaltrit vuajtën deri në fund për të siguruar tri pikët, sidomos pas daljes me karton të kuq të Alessandro Bastonit, por në fund arritën të festonin përpara tifozëve të tyre.
Pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para, skuadra italiane kishte nevojë për një reagim dhe e gjeti atë në një sfidë të luftuar, ku goli vendimtar erdhi vetëm në minutën e 77-të nga Carlos Augusto.
Reali bëri detyrën në sfidën e raundit të tretë të Ligës së Kampioneve. Në Santiago Bernabeu, skuadra e Jose Mourinho iu imponua me autoritet Leipzigut duke e mundur me rezultatin e thellë 4-1.
Në pjesën e parë Leipzig pati dy momente të mira për të kaluar në avantazh por Courtois arriti të mbajë të paprekur portën e tij. Por në castet e fundit të kësaj pjese ishte Reali i Madridit që gjeti rrugën e rrjetës me Bernardo Silva pas një topi të kthyer nga ndërhyrja e portierit Vandevoordt dhe me rezultatin 1-0 në favor të Los Blancos skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes.
Në fillimin e pjesës së dytë Reali i Madridit shënoi edhe golin e dytë me Arda Guler, një gol që u verifikua fillimisht për pozicion jashtë loje por që rezultoi i rregullt dhe rezultati shkoi 2-0. Kylian Mbappe iu afrua golit të tretë por gjuajtja e tij u përplas në rrjetën e jashtme. megjithatë francezi e gjeti golin e tij pikërisht në minutën e 83 teksa shënoi golin e tretë për Realin e Madridit.
Minutat e fundit ishin të zjarrta pasi Leipzig nuk vonoi shumë dhe shkurtoi diferencën në 3-1 me Gomis, por kundërpërgjigjja e të besuarve të Mourinhos ishte shumë e shpejtë pasi Diomande me golin klasik të ish-it, plotësoi pokerin e golave për të fiksuar fitoren 4-1 që është e treta në po kaq ndeshje për Realin e Madridit që ngjitet në vendin e katërt me 9 pikë të plota.