SPAK kërkon të dënohet edhe për trafik droge e grup kriminal, Gjykata e Lartë cakton datën për çështjen e Saimir Tahirit

29 October 2026, 17:42Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
SPAK kërkon të dënohet edhe për trafik droge e grup
Saimir Tahiri

Gjykata e Lartë ka caktuar datën 10 dhjetor për shqyrtimin e çështjes së Saimir Tahirit.

Procesi në Gjykatën e Lartë është iniciuar pas rekursit të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila kundërshton vendimet e mëparshme të gjykatave më të ulëta.

SPAK nuk është dakord me faktin që Tahiri është dënuar vetëm për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe kërkon që ish-ministri të shpallet fajtor edhe për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Për këto akuza, Prokuroria kërkon një dënim prej 12 vitesh burg.

Fillimisht, ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e kishte shpallur fajtor Tahirin për shpërdorim detyre, duke e dënuar me 5 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua në 3.4 vite, ndërsa në vendimin përfundimtar u vendos pezullimi i ekzekutimit të dënimit dhe vënia e tij në shërbim prove.

Ky vendim u ankimua nga të dyja palët, si nga SPAK ashtu edhe nga vetë Tahiri. Apeli i GJKKO-së e rrëzoi vendimin për pezullimin e dënimit, duke lënë në fuqi dënimin me 3.4 vite burg. Pas vuajtjes së një pjese të dënimit, Tahiri u lirua nga burgu me vendim të Gjykatës së Elbasanit, për shkak të rrethanave familjare dhe kushteve të parashikuara në ligj, pa e përfunduar plotësisht ekzekutimin e dënimit.


Video