Protestat në Tiranë, 310 të lënduar që prej 13 tetorit: Mes tyre 191 efektivë policie

19 October 2026, 22:34Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Protestat në Tiranë, 310 të lënduar që prej 13 tetorit:

Shkon në 310 numri i personave që kanë marrë ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve të pësuara gjatë protestave në Tiranë, që prej datës 13 tetor. Sipas përditësimit të autoriteteve shëndetësore, deri në orën 21:00 të mbrëmjes së sotme, mes të lënduarve janë 191 punonjës policie, 88 protestues dhe 31 kalimtarë.

Gjatë ditës së sotme, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur për ndihmë mjekësore katër kalimtarë. Njëri prej tyre, përfaqësues i medias ndërkombëtare, ka lënë spitalin pas marrjes së trajtimit, në gjendje jashtë rrezikut për jetën dhe me këshillën e mjekut.

Aktualisht, në këtë spital ndodhen dy kalimtarë, të cilët po kryejnë ekzaminimet e nevojshme. Një tjetër person i lënduar gjatë protestës është larguar pasi ka marrë trajtimin mjekësor.

Tre të lënduar në QSUT, mes tyre një i mitur

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur tre persona për të marrë ndihmë mjekësore: një efektiv policie, një protestues i mitur dhe një përfaqësues i medias.

Sipas informacionit zyrtar, të tre personat paraqiten në gjendje shëndetësore stabël.

Bilanci i të lënduarve përfshin rastet e regjistruara që prej 13 tetorit, gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet. Autoritetet shëndetësore vijojnë të monitorojnë gjendjen e personave që po marrin trajtim mjekësor.


Video