
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar pas përplasjeve mes efektivëve të Policisë dhe protestuesve në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, duke kërkuar respektimin e vendeve të shenjta, distancimin nga dhuna dhe gjetjen e hapësirës për dialog.
Në reagimin zyrtar, Kisha shpreh shqetësimin për pamjet e bëra publike nga ngjarjet brenda perimetrit të katedrales, duke theksuar se objektet e kultit nuk duhet të kthehen në hapësira konflikti dhe përplasjeje.
“Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, pasi pa pamjet e ngjarjeve në oborrin e Katedrales ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë, shpreh shqetësimin dhe bën thirrje të respektohen vendet e saj të shenjta. Ato asnjëherë nuk janë hapësira konflikti e përplasjeje dhe nuk i pranojnë ato.
Katedralja ‘Ngjallja e Krishtit’ është vend i shenjtë lutjeje, vend ku kryhen shërbesat e shenjta dhe ku predikohet kultura e paqes.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë bën edhe njëherë thirrje për distancim nga dhuna dhe gjetjen e hapësirës së dialogut”, thuhet në reagim.
Mitropoliti Anastas: Përgjegjësia shkon edhe përpara gjykimit të historisë
Pas reagimit të Kishës, edhe Mitropoliti Anastas ka bërë thirrje që Policia e Shtetit të ndalë përdorimin e dhunës dhe të veprojë në përputhje me ligjin.
Në mesazhin e tij publik, ai u është drejtuar atyre që, sipas tij, shpërdorojnë autoritetin shtetëror, duke paralajmëruar se përgjegjësia për veprimet e tyre nuk kufizohet vetëm te drejtësia ligjore, por shtrihet edhe te gjykimi moral dhe historik.
“Policia e Shtetit të rikthehet menjëherë në binarët e ligjit dhe të heqë dorë nga çdo formë dhune e arbitrariteti. Ata që shpërdorojnë autoritetin e shtetit duhet ta dinë se përgjegjësia e tyre nuk përfundon përpara ligjit, por shtrihet edhe përpara gjykimit të historisë. Mbi ta do të rëndojë gjithashtu përgjegjësia për çdo pasojë që mund të sjellë përshkallëzimi i mëtejshëm i tensioneve”, thuhet në reagimin e Mitropolitit Anastas.