Senatori i Miçiganit reagon për protestat në Tiranë: Autoritetet të përmbahen nga agresioni ndaj protestuesve paqësorë

19 October 2026, 21:41Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Senatori i Miçiganit reagon për protestat në Tiranë:

Senatori amerikan Gary Peters ka reaguar për situatën e tensionuar në Shqipëri, duke u bërë thirrje autoriteteve që të shmangin përdorimin e forcës ndaj protestuesve paqësorë dhe të gjitha palëve të punojnë për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Peters shprehet se është thellësisht i shqetësuar për zhvillimet e fundit në vend, ndërsa thekson se shqiptarët meritojnë një qeveri që respekton të drejtat themelore dhe shtetin e së drejtës.

“Jam thellësisht i shqetësuar për situatën në përshkallëzim në Shqipëri. Autoritetet vendore duhet të përmbahen nga agresioni ndaj protestuesve paqësorë, ndërsa të gjithë ata që ndodhen në terren duhet të punojnë për uljen e tensioneve dhe parandalimin e dhunës së mëtejshme”, shkruan senatori amerikan.

Në postimin e tij, Peters thekson gjithashtu se Miçigani ka një komunitet të madh dhe aktiv shqiptaro-amerikan, për të cilin zhvillimet në Shqipëri janë çështje personale.

“Populli shqiptar meriton një qeveri që respekton të drejtat e tij themelore dhe mbron shtetin e së drejtës. Për këtë arsye, do të vazhdoj të avokoj për paqe dhe drejtësi për të gjithë shqiptarët”, shkruan ai.

Gary Peters është senator amerikan që përfaqëson shtetin e Michiganit në Senatin e SHBA-së që prej vitit 2015. Ai shërben si anëtar i Partisë Demokratike dhe ka mbajtur role të rëndësishme në komisionet e Senatit, përfshirë atë për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare.

 


Video