Ditën e nesërme në Kuvend pritet të ngrihet komisionin i posaçëm anti-korrupsion, një nismë e kryeministrit Edi Rama.
Komisioni i Posaçëm do të përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 5 të opozitës, ndonëse deri më tani, opozita ka deklaruar qëndrimin kundër këtij komisioni.
Sipas projektvendimit, ky komision do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10 mujor. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit.
“Me qëllim ruajtjen konform rregullores të raportit shumicë - pakicë, shfrytëzimin efektiv të përvojës së krijuar qysh në fillesat e Reformës në Drejtësi, si dhe sigurimin e vazhdimësisë së punës e të produkteve të këtij procesi përtej legjislaturës aktuale dhe përgjatë harkut të negociatave me Bashkimin Evropian, komisioni si rregull do të përbëhet nga Kryetarë dhe Zëvendëskryetarë të Komisioneve të Përhershme: për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut (2) për Ekonominë dhe Financat (2); për Çështjet Evropiane (2); për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik (2); dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian (2)”, thuhet në projektvendim.
Aktualisht përflitet se deputeti socialist, Fatmir Xhafaj do të jetë në krye të këtij komisioni anti-korrupsion.
Megjithatë, votimi i ngritjes së komisionit anti-korrupsion mund të shtyhet, deri në arritjen e një dakordësie me opozitën.