Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Erion Veliaj do të shkarkohet si kryebashkiak i Tiranës dhe në këtë mënyrë do të ketë zgjedhje të parakohshme për kryeqytetin. Dhe kandidate e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës do të jetë Ogerta Manastirliu.
“Vijmë te emergjenca e Tiranës. Pas 7 muajsh Tirana nuk ka asnjë kryetar të Bashkisë të votuar, as të dënuar. Sot kemi një kryetar të zgjedhur 3 herë që i është mohuar e drejta e gjykimit në liri. I është bërë një gjyq i gjatë, gjysma të vërtetash në tezgat e pazarit mediatik dhe në tezgat, madje në shkelje të hapur të ligjit dhe çdo zakoni janë nxjerrë nga brenda nga ato tezga edhe biseda me familjarët nga telefoni i burgut. Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik, diktatorial jo e jo. Është shkelja më e hapur, më flagrante, më brutale, ë shpërdorim total të detyrës nga ana e atyre që do duhet të mbajnë nën kontroll materialet hetimore”, tha Rama.
“Tirana ka punë të mëdha, dhe të panumërta përditë dhe përnatë, nuk i heq absolutisht asnjë meritë kryetares në detyrë, përsa ka bërë në këto 7 muaj anomalie, të paprecedentë për kryeqytetin. Përkundrazi e falënderoj për përkushtimin. Sot duhet të marrim vendim politik për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar të ri bashkie në Tiranë. Përfaqësuesit në Këshill duhet të vëne në lëvizje mekanizmin ligjor të shkarkimit të kryetarit aktual”, tha Rama i cili tha se propozimin nuk e “mban me zemër të lehtë”.
Kryeministri Edi Rama ka propozuar Ogerta Manastirliun si kryetare të Bashkisë së Tiranës.
“Qytetarët e Tiranës nuk mund të presin më as 7 ditë të tjera pa ditur se çfarë do të bëhet me bashkinë e Tiranës. E çmoj nga afërsia e punës me të, ose nga distanca, por gjithnjë në respekt me integritetin në kryerjen e çdo detyre, dhe mbi të gjitha për shërbimin e veçantë ndaj publikut, kujdesin nga bashkëpunëtorëve dhe për vëmendjen ndaj çdo njeriu në Shqipëri që e ka lidhur detyra, që Ogerta Manastirliu është njeriu që i duhet sot Tiranës.”, tha Rama.
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu e cila po ndiqte fjalimin e Ramës në sallë, u duk e zënë në befasi.
“E di që të ra si bombë”, i tha kryeministri. Ndërkohë që salla u ngrit duke e duartrokitur.