Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, njëkohësisht edhe kreu i degës së PS-së së Tiranës ka prezantuar sot drejtuesit e rinj të Partisë Socialiste në 27 njësitë vendore të kryeqytetit.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj sulmoi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-presidentin Ilir Meta, njërin duke e cilësuar si komunist dhe tjetrin si spiun.
Sipas tij, opozita është duke zgjidhur hallet e viteve ’90, ndërsa qeveria është angazhuar në përmbushjen e detyrave për ta çuar vendin përpara.
“Ne jemi duke bërë bisedat për të ardhmen, ata janë duke zgjidhur akoma hallet e viteve ‘90. Kush na spiunoi tek greva e urisë, ishte ky Ilir Metë apo dikush tjetër? Kush ishte doktori që Ramizi i çoi të prishte festën e studentëve, ishte ky doktor apo një doktor tjetër? Ata e kanë jetën e tyre të obsesuar për të sqaruar muhabetet e vitit ’90.
Ne e kemi jetën tonë të angazhuar dhe të mobilizuar për sqaruar ëndrrat, misionin e Shqipërisë që vjen. Ata janë thellësisht vulgarë, banalë, bajatë, po kur jemi të gjithë bashkë, me njerëzit që keni në krahë, vendi ynë është në drejtimin e duhur. Komunisti Sali dhe fuksi Ilir t’i zgjidhin vetë hallet e tyre”, u shpreh Veliaj.