Sekretari i Përgjithshëm i PL-së së Ilir Metës, Tedi Blushi, nuk lë dalje televizive pa u ankuar për taksat.
Por, në të vërtetë, ai ka 8 muaj pa paguar faturat e ujit të pijshëm dhe taksat e qytetit.
Ndryshe nga qytetarët e thjeshtë, të cilët i paguajnë rregullisht, zbulimi i Metës kur ishte President, nuk denjon të paguajë asnjë taksë për 8 muaj me radhë, madje as ujin e pijshëm që konsumon çdo ditë.

Rezulton se Tedi Blushi nuk i ka paguar faturat e ujit që prej Tetorit 2023. Ndaj, është mirë që përpara se të ankohet për taksat, si fillim t’i paguajë ato si gjithë qytetarët e Tiranës.
Pas publikimit të lajmit në media, Blushi ka reaguar duke mohuar një gjë të tillë. Ai madje thotë se ka prej vitit 2023 që nuk është pronar i asnjë apartamenti, pasi e ka shitur.
Reagimi i plotë i Blushit:
Një sqarim i detyruar për ish-kolegët gazetarë që e kanë bërë hasha profesionin e tyre!
Prej datës 24/08/2023 nuk jam pronar i asnjë apartamenti. Rrjedhimisht nuk kam asnjë detyrim ligjor ndaj UKT për të paguar ujin që konsumohet në apartamentin që kam shitur!
Kontratën ja ku e keni!
Nëse donit të bënit gazetari cilësore do ja u vendosja edhe juve në dispozicion!
Unë nuk i shmangem as transparencës, as llogaridhënies, as detyrimeve dhe as përballjes!
Meqënëse më keni dhënë edhe leksione politike për betejën me Kryehajdutin Erion Veliaj, pronarin faktik të inceneratorit fantazmë dhe kreun e organizatës kriminale 5D, edhe unë jam i "detyruar" t'ju jap një këshillë miqësore, si ish-kolegu juaj: Mos e ulni kaq poshtë gazetarinë duke u bërë vegla të mjera të atyre që ju keqpërdorin në këtë derexhe!