Sot sërish seanca për Sali Berishën, ish-kryeministri do mbrohet nga avokat shteti

26 October 2023, 09:36Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sot sërish seanca për Sali Berishën, ish-kryeministri do mbrohet
Sali Berisha

Për të tretën ditë me radhë, Gjykata e Posaçme do të zhvillojë seancën për vlerësimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Seancat kanë dështuar për dy ditë më radhë, ndërsa ditën e sotme pritet që të nisë në orën 10:00.

Ish-kryeministri Berisha është lënë në detyrim paraqitje dhe ndalim për dalje jashtë shtetit, pasi hetohet për korrupsion me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Një ditë më parë, avokatët u larguan nga seanca me argumentin se Gjykata ka rrëzuar disa kërkesa që ata kanë bërë, përfshirë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes dhe mospranimin e kërkesës për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e vendimit për masën "detyrim paraqitje" për ish-kryeministrin.

Ndërkohë, GJKKO caktoi avokatin Artan Simoni të paguar nga shteti në mbrojtje të interesave të Berishës. Ndërkohë që ai njihej me dosjen, Shkëlzen Berisha reagoi për herë të parë pas akuzave të ngritura nga SPAK për babanë e tij, por teksti i shkruar prej tij përmbante një sulm ndaj avokatit. Shkëlzen Berisha, publikoi një status në rrjete sociale avokatit Simoni, i cili dy ditë më parë, fliste për “një bishë të plagosur, që diku paska gabuar”, që sipas tij i referohet babait të tij.

Në këto kushte me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata ka vendosur largimin e Simonit, si avokat mbrojtës të ish-kryeministrit duke e zëvendësuar me një avokat tjetër nga lista e avokatëve kryesisht dhe i la kohë që të njihet me aktet, duke e shtyrë vendimin për sot (26 Tetor). Berisha ka refuzuar dy herë të shkojë në senacë për t’u njohur me masën e sigurisë.


Video