Sot e konsiderojnë tradhti, ç'thoshin Meta-Berisha 5 vite më parë për marrëveshjen Rama-Basha

17 May 2022, 18:47Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sot e konsiderojnë tradhti, ç'thoshin Meta-Berisha 5 vite
Ilir Meta dhe Sali Berisha

Sot bëhen 5 vjet nga marrëveshja e 17 Majit 2017 mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD në atë kohë, Lulzim Basha, ku u dakordësua për t'u futur në zgjedhje me një qeveri gjysmë-teknike, pas "kërcënimeve" nga ish-kryedemokrati me çadrën e vendosur në Bulevard se nuk ikte prej aty dhe nuk futej në zgjedhje pa dhënë dorëheqjen kreu i qeverisë.

Sot kjo marrëveshje konsiderohet nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti aktual Ilir Meta si tradhtia më e madhe e bërë nga Basha kundër interesave të opozitës në shërbim të Ramës. Ata e konsiderojnë si një marrëveshje të turpshme që i shërbeu vetëm Ramës. Madje, ish-lideri demokrat nuk nguron ta përmendë shpesh herë gjatë foltoreve të tij, se që prej asaj date, Basha është shitur tek Rama, apo është marrë peng tek ky i fundit.

Por, 5 vite më parë, dyshja Berisha-Meta nuk kishin aspak një mendim të tillë mbi këtë marrëveshje.

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha e konsideronte historike marrëveshjen, një fitore të të dy palëve, madje falenderonte dhe ndërkombëtarët.

“Të dashur miq, drejtuesit e dy partive kryesore të vendit firmosën sot një marrëveshje, me të cilën i dhanë zgjidhje njërës prej krizave politike më të rrezikshme të këtyre 26 viteve të fundit, që prej disa muajsh kishte rrokur vendin. Në këtë kontekst, mendoj se çdo shqiptar duhet të ndjehet vërtet i lehtësuar për zgjidhjen me mjete politike të kësaj krize që kërcënonte në mënyrën më serioze ekzistencën e pluralizmit politik në Shqipëri, themelet kushtetuese të shtetit demokratik, paqen sociale dhe stabilitetin e vendit. Kështu që pa u ndalur në një analizë të hollësishme, e them me bindje të plotë se me këtë marrëveshje ka fituar Shqipëria dhe se për të gjithë shqiptarët që e duan vendin e tyre dhe vlerat e lirisë, marrëveshja është një win-win story. Me këtë rast të dashur miq, le të shprehim mirënjohjen tonë më të thellë ndaj miqve tanë të respektuar evropianë dhe amerikanë për ndihmën e tyre tejet të çmuar që dhanë në arritjen e kësaj marrëveshje si dhe ndaj të gjithë atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që vendosën sakrificën e tyre në themel të saj si dhe ndaj të gjithë atyre, që me angazhimin serioz bënë të mundur këtë marrëveshje të një rëndësie historike për Shqipërinë”, shkruante Berisha në atë kohë në Facebook.

Ndërsa Ilir Meta nga ana tjetër i njihte merita vetes, duke thënë se kjo ishte ajo që kërkonte LSI, pasi në atë kohë ai ishte kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. 

“Që kur lindi kriza, LSI ka pasur një qëndrim të qartë që duhet dialog. Kemi thënë se PD ka të drejtë për çështjen e drogës, për dekriminalizimin, por jo kërkesat e tjera për qeveri teknike, apo mbajtja e zgjedhjeve në një datë të vonë. Ne ishim pro një qeverie besimi. Dhe praktikisht kështu ndodhi. Rama është kryeministër, dhe Basha propozon disa ministra”, shprehej Meta në atë kohë, kryetar Kuvendi dhe kryetar i LSI. 


Video