Kreu i PD Sali Berisha, ka dalë sot një deklaratë për mediat, ku komentoi ndryshimet në qeveri ndërsa zbuloi sipas tij ‘prapaskenat’ e vendimit.
Berisha theksoi se Ahmetaj u shkarkua prej djegësve, duke shtuar se abuzuesi numër një është kryeministri Edi Rama.
'Edi Rama është përgjegjësi numër 1 i vjedhjes monstruoze me aferën e djegësave. Për djegësin e Elbasanit dhe Fierit, ministria e Mjedisit që u përdor për këtë vjedhje, kishte zero lekë në buxhetin e saj.
Paratë e djegësave u morën nga fondi i emergjencave të Këshillit të Ministrave. Ky fond përdoret vetëm në rastin e katastrofave natyrale dhe fatkeqësive të mëdha natyrore.
Edi Rama, këtë fond, e përdori për të përvetësuar, bashkë me zyrtarët e tij, dhjetëra e dhjetëra milionë euro.
Me urdhër të tij, ai kaloi nga fondi i emergjencës dhjetëra e dhjetëra miliona euro, në buxhetin e Ministrisë së Mjedisit për vjedhjet me inceneratorët.
Edi Rama është përgjegjës sepse firmosi kontratën me procedurë të mbyllur, në një kohë kur enti zyrtar, Agjencia e Prokurimeve Publike, kishte denoncuar më përpara, si të paligjshme për prokurim procedurën me negociata të mbyllura', tha Berisha