Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se biznesmenët e fuqishëm të ndërtimit në vend shesin ambiente biznesi apo banimi me shifra marramendëse deri në 8000 euro m/2 dhe i deklarojnë me shuma qesharake.
Lidhur me këtë ka reaguar deputeti demokrat Gazment Bardhi. Ai thotë se deklarata e Ramës është e vlefshme që SPAK të nisë hetimet ndaj Ramës, pasi sot ai tregoi jo vetëm se ka dijeni për këtë krim, por e ka lejuar të ndodhë dhe ka bashkëpunuar.
Reagimi i plotë i Bardhit:
Edi Rama ka bërë sot një deklarim të vlefshëm për SPAK-un. Kryeministri e di që në biznesin e ndërtimit ka evazion fiskal dhe jo vetëm e ka lejuar të ndodhë, por ka bashkëpunuar për rritjen e evazionit duke u dhënë leje të reja ndërtuesve që fshehin të ardhurat.
Kush fsheh 5 mijë, 6 mijë, 7 mijë, 8 mijë euro m2 shitje? Nuk ka asnjë dyshim që ndërtuesit e tij të preferuar, të cilët, disa i ka shpallur investitorë strategjikë për resorte në bregdet, disa i pajis me leje për kulla. Në të gjitha rastet është firma e Edi Ramës. Dhe është koha që SPAK ta marrë seriozisht hetimin e kryeministrit për shpërdorim detyre përmes lejimit me mosveprim të evazionit fiskal!