Deputeti i PD, Ervin Salianji deklaroi sonte se opozita do të vijojë të bllokojë punimet e parlamentit deri në plotësimin e kërkesave tyre.
Në emisionin “Opinion”, Salianji tha se PD kërkon ngritjen e komisioneve hetimore, komisionin e reformës zgjedhore dhe të mos mbahet peng vullneti i shumicës së grupit parlamentar të PD për drejtimin e partisë.
“Nuk ka të bëjë me asnjë ngjarje që ka ndodhur në Shqipëri, me asnjë personazh. Ne kemi tre kërkesa:
1-Kërkojmë ngritjen e komisioneve hetimore, kemi kërkuar 8 dhe janë rrëzuar të teta.
2-Komisioni i reformës zgjedhore, i cili është bërë në mënyrë bipartizane. Grupi Parlamentar i PD propozon kush janë përfaqësuesit e vet. Ndërsa Edi Rama është mësuar ta zgjedhë. Kërkon debat të trukuar. Ne po kërkojmë këtë që na jep kushtetuta dhe ligji
3-Të mos mbajnë peng vullnetin e shumicës së grupit parlamentar të PD për drejtimin e partisë”, tha Salianji.
Lidhur me komisionet hetimore, duke marrë shkas nga ai i inceneratorëve, Saliani pati akuza ndaj Arjan Baçit, administratori i emëruar nga shteti i inceneratorit të Elbasanit. Baçi i cili është administratori Shtetëror i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara Arjan Baçi, është administrator edhe i inceneratorit të Tiranës.
Sipas Salianjit, Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka kapur me shkelje, duke abuzuar me pronat e shtetit dhe se nuk është njeriu i duhur për atë pozicion.