Ditën e sotme do të mblidhet Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike. Ishte Komisioni i Rithemelimit që njoftoi një ditë më parë përmes Edi Palokës mbledhjen e këtij organi.
Këshilli i ri Kombëtar u zgjodh në Kuvendin e 30 prillit, i organizuar nga “Rithemelimi” dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Paloka bëri të ditur se Këshilli Kombëtar do të mblidhet në orën 18.00 dhe gjatë kësaj mbledhjeje do të zgjidhet edhe kryetari i këtij organi të PD-së.
Po ashtu ai tha se do të mbajnë edhe një qëndrim për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Sakaq, Kuvendi i 30 prillit duket se e ka thelluar edhe më shumë çarjen mes palëve në selinë blu, ndonëse pas 6 marsit pati tentativa dhe retorikë për bashkim.
“Rithemelimi” nuk e njeh Enkelejd Alibeaj si kryetar të grupit parlamentar, pasi votuan për ta shkarkuar në Kuvend. Për rrjedhojë deputetët që mbështesin këtë palë dhe që janë pjesë e komisionit bojkotuan dje mbledhjen e thirrur nga Alibeaj për të diskutuar çështjen e presidentit.
THIRRJA PËR MBLEDHJEN E KËSHILLIT KOMBËTAR
– Komisioni i Përkohshëm I Rithemelimit, ushtrues i kompetencave te Kryesisë së PDSH dhe Kryetarit ka vendosur thirrjen e mbledhjes së parë të Këshillit Kombëtar në datën 6 Maj ora 18.00 ne Seline e PDSH. – Qëllimi I mbledhjes, përvec konstituimit të K.Kombëtar është përcaktimi I një qëndrimi politik të PDSH lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
– Bazuar në nenin 44 pika 5 të Statutit, mbledhja duhej mbajtur të paktën 5 ditë nga thirrja, por për shkak të natyrës urgjente të cështjes që trajtohet, gjithesesi Komisioni I Përkohshëm I Rithemelimit vendosi që mbledhja të mbahet nesër pasdite. – Këshilli Kombëtar I PDSH është I vetmi organ I cili mund të përcaktojë qëndrimin e unifikuar të PDSH lidhur me një cështje të rëndësishme politike, si ajo e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, pasi në bazë të statutit ai është organi më I lartë që drejton veprimtarinë politike të PDSH në periudhën midis dy Kuvendeve. – Bazuar në nenin 44 pika 4 e Statutit, në mbledhjen e parë të konstituimit të Këshillit Kombëtar, zgjidhet edhe kryetari I këshillit kombëtar midis të paktën 2 kandidaturave alternative.
Ditën e djeshme, me ftesë të Enkelejd Alibeajt, u mblodh grupi Parlamentar i Partisë Demokratike. Në atë mbledhje e cila nisi në orën 17:00, u paraqitën vetëm19 deputetë demokratë. Deputeti Ervin Salianji u shpreh gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura se ajo nuk mund të quhej as mbledhje grupi pasi nuk përmbushte kuorumin. Alibeaj tha se në total PD-ja ka 36 anëtarë e se 22 deputetë ishin më se mjaftueshëm për të mbledhur grupin.