Rinumërimi i 85 kutive të para në Tiranë, anëtari i KAS: Partitë e mëdha kanë humbur vota

19 Qershor 2025, 12:19Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ledio Braho

Anëtari i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), Ledio Braho, dha një prononcim për mediat ditën e sotme nga Pallati i Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, ku po zhvillohet procesi i rinumërimit të votave për qarqet Tiranë, Fier dhe Elbasan.

“Stafi i KQZ po numëron votat. Kur votat kanë qenë të diskutueshme, KAS ka vendosur. Janë numëruar më pak se 10 përqind e të votave. Partitë e mëdha kanë humbur vota nga procesi”, tha anëtari i KAS.

Braho shtoi se procesi është ende në fillimet e tij dhe nuk mund të flitet aktualisht për ndonjë bilanc apo për tjetërsime masive të votave.

“Procesi është në fillim dhe nuk bëjmë dot një bilanc tani për të thënë në çfarë mase ka ndodhur një tjetërsim votash.

Deri tani, për ato fletë që janë konsultuar me KAS-in kanë qenë çështje të diskutueshme, nuk mund ti quajmë as gabime njerëzore, por janë çëshjte subjektiviteti të grupeve të numërimit. Nëse në vijim do shohim tjetërsime votash masive nga i njëjti grup numërimi, pastaj nuk mund të themi dot që janë gabime njerëzore por të qëllimshme, s’kemi pasur një rast të tillë deri tani”, tha Braho.

Sa i përket ritmit të procesit të rinumërimit, Braho u shpreh i pakënaqur me ecurinë e ditës së djeshme, ku u numëruan vetëm 87 qendra votimi. Sipas anëtarit të KAS, qarku i Tiranës përbën sfidë të veçantë për shkak të numrit të madh të kandidatëve në fletën e votimit, rreth 500, çka kërkon më shumë kohë për verifikimin e çdo vote.

“Ishim të pakënaqur nga ritmi i djeshëm i numërimit sepse u numëruan rreth 87 qendra votimi. Sot janë marrë masat që të ndahen në dy turne procesi, duke e bërë që të jetë një proces më i gjatë, dhe në mënyrë që numëruesit të ndërrohen. Shpresojmë të ecim me një ritëm më të shpejtë por duhet të kemi parasysh që qarku i Tiranës ka një fletë votimi me rreth 500 kandidatë dhe kërkon më shumë kohë fizike në vlerësimin e cdo flete, duke shtuar këtu dhe presionin nga vëzhguesit që merren me pikat me shenjat, me peintimet, e bën procesin më të ngadaltë”, tha Braho.

Braho përmbylli deklaratën duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe korrektësisë në këtë proces rinumërimi, duke nënvizuar se KAS do të ndjekë me vëmendje çdo rast.

Video