
Partia Demokratike e drejtuar nga i komanduari Enkelejd Alibeaj dorëzoi në seancën e kësaj të enjteje në Kuvend një rezolutë me 10 pikë.
Rezoluta, më shumë se një dokument i dobishëm për qytetarët dukej se ishte e konceptuar si një fasadë për të krijuar idenë e opozitarizmit që bëhet copash për hallet e qytetarëve.
Pse? Së pari, kërkesat janë ‘shumë të bukura’ për të qenë të vërteta. Ato duket se janë hartuar posaçërisht për ta vënë mazhorancën dhe qeverinë përballë refuzimit të prerë të tyre. Kërkesa të tilla si rritja me dyfishin e inflacionit të pensioneve, ulje TVSh-je, apo dyfishimi i ndihmës sociale jo se nuk janë të drejta në këtë periudhë, por financiarisht janë thjesht të pamundura.
Por, si për të larë gojën, PD zyrtare pas kësaj rezolute shprehu keqardhjen me mazhorancën se përse i rrëzoi këto kërkesa, që nëse analizohen pak më thellë shmangin një prej problemeve themelore të shqiptarëve; çmimin e naftës.
Në të gjitha pikat e PD-së shmanget përmendja e çmimit të naftës, akuzat për oligopol, përqëndrim dhe abuzim në këtë treg. Rezoluta e opozitës flet sikur çmimi 230 lek i naftës në vend është normal dhe përmes rezolutës legjitimon abuzimin e kompanive Kastrati e Gega në treg, për të mos thënë që i nxit edhe më tej.
Se pse, përgjigjen e di PD, ose kryetari i komanduar i saj, Enkelejd Alibeaj!