"Top Channel vazhdon spekullon papërgjegjshmërisht, pa asnjë bazë, provë, fakt, mbi zhvillimet në frontin e luftës kibernetike."
Kështu shprehet kryeministri Edi Rama lidhur me lajmin e publikuar nga Top Channel se hakerat që goditën zyrat e shtetit shqiptar, duke arritur të hyjnë në serverat e dokumenteve zyrtare, kanë arritur të marrin prej andej dokumente të ndryshëm, në një faqe të tyren në ueb.
Rama shton më tej se arseyja pse mediat e një biznesmenit të kapur me evazion masiv bëjnë të njëjtën gjë, kuptohet më lehtë, duke iu referuar në këtë rast televizionit News24.
Kreu i qeverisë shprehet se agresioni është zmbrapsur me sukses nga një superskuadër shqiptaro-amerikane, se asnjë e dhënë nuk është fshirë, se shërbimet publike janë kthyer në punë. Rama shton më tej se e gjithë ngjarja do t'i raportohet publikut nga ekspertët, sapo të ndizet drita jeshile e përfundimit të proceseve që po kryhen.
Reagimi i plotë:
Se cila është arsyeja që Top Channel vazhdon spekullon papërgjegjshmërisht, pa asnjë bazë, provë, fakt, mbi zhvillimet në frontin e luftës kibernetike, këtë nuk e di! Ndërkohë arsyeja pse mediat e një biznesmenit të kapur me evazion masiv bëjnë të njëjtën gjë, kuptohet më lehtë!
Lajmi i mirë është se agresioni është zmbrapsur me sukses nga një superskuadër shqiptaro-amerikane, se asnjë e dhënë nuk është fshirë, se shërbimet publike janë kthyer në punë! Vazhdon operacioni i forcimit të mureve mbrojtëse dhe hetimit për identifikimin e sigurtë të agresorit!
E gjithë ngjarja do t'i raportohet publikut nga ekspertët, sapo të ndizet drita jeshile e përfundimit të proceseve shembullore që po kryhen nga superskuadra e angazhuar në këto operacione. Keqardhje e madhe për keqtrajtimin që i bëhet publikut për interesa pronarësh në media.
