Nisi me Francën cikli i parë vjetor i javëve ndërkombëtare të kulturës në Tiranë, një nismë e re e qeverisë shqiptare që do të krijojë çdo vit hapësira të reja njohjeje e komunikimi me vendet e me kulturat e tjera.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama e cilësoi një koincidencë të bukur që hapja e këtij programi niste me Francën, një ditë pasi presidenti Emmanuel Macron u rikonfirmua në krye të këtij shteti. Për kryeministrin, Macron nuk është vetëm president i Francës, por edhe një prej shtyllave mbajtëse të gjithë arkitekturës të BE.
Rama tha se sot ndihej i gëzuar dhe i lehtësuar nga rezultati i djeshëm në Francë, që sipas tij, është një garanci për perspektivën europiane të të gjithë rajonit.
“Franca është ajo që e hap këtë program, një koincidencë e bukur bën që sot ne të jemi këtu pas një ditë të shënuar në historinë bashkëkohore të Francës, me konfirmimin e Presidentit Emmanuel Macron, i cili është në të njëjtën kohë jo vetëm President i Francës, por edhe një prej shtyllave mbajtëse të gjithë arkitekturës të BE. Për këtë arsye sot ne jemi të gëzuar dhe të lehtësuar nga rezultati i djeshëm në Francë, i cili është dhe një garanci për perspektivën europiane të të gjithë rajonit tonë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë”.
Ndërsa sa i përket programit, mes të tjerash Rama tha se “ky kalendar prek vende të Europës, vende jashtë saj, prek të gjithë ato vende që gjenden në hartën e marrëdhënieve tona diplomatike dhe natyrisht, patjetër, të gjithë ato vende që duan të jenë pjesë e kësaj serie javësh të kulturës”.