Rama sulmon Sotiraq Filon, kryebashkiaku i Korçës nuk do të rikandidohet

14 November 2022, 22:23Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama sulmon Sotiraq Filon, kryebashkiaku i Korçës nuk do të
Edi Rama, Sotiraq Filo dhe Niko Peleshi

Marrëdhëniet e Sotiraq Filos me Edi Ramën nuk janë në nivelin e rikandidimit të tij për kryetar bashkie në Korçë.

As i pari dhe as i dyti nuk e kanë deklaruar publikisht këtë. Edi Rama ka deklaruar publikisht kryebashkiakët që do të propozohen për një mandat tjetër në bashkitë që drejtojnë dhe mes emrave që ka përmendur nuk është ai i Sotiraq Filos.

Sinjali i fundit që kryebashkiaku i Korçës do të vendoset në listën ku aktualisht ndodhet Dritan Leli i Vlorës është një postim i Prefektit të Qarkut, Nertil Jole.

“Në takim mungonin sërish përfaqësues të Bashkisë së Korçës. Gjykoj se mungesa e kontributit të Bashkisë së Korçës, si institucion shumë i rëndësishëm publik e bashkia më e madhe në qark në diskutimin dhe bashkërëndimin e problemeve që u trajtuan bie ndesh me frymën e bashkëpunimit, aq të domosdoshëm në parandalimin, apo përballimin e situata në fushën e mbrojtjes civile”, shkruan Jole.

Prefekti kishte thirrur një takim me pushtetin lokal për temën e mbrojtjes civile dhe koordinuar masat për përballimin e situatave që mund të krijohen në qarkun juglindor nga moti i ftohtë dhe me reshje dëborë.

Sulmi i tij ndaj Bashkisë së Korçës nuk është thjesht personal, por si i dërguar i qeverisë, pra i Edi Ramës është sinjal që Sotiraq Filo nuk do të rikandidohet në këtë post.

Ka kohë që përflitet korridoreve të socialistëve për një raport të ngrirë mes Ramës dhe Filos. Arsyet e ftohjes së këtyre raporteve nuk dihen. Pak vite më parë Filo merrej si modeli i kryebashkiakut nga Edi Rama.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video