
Kryeministri Edi Rama inspektoi mëngjesin e së hënës rrugën Bunavi – Kërkovë në qarkun Vlorë, e cila ka hyrë në fazën e dytë të ndërtimit. Kreu i qeverisë tha se ky projekt hap një perspektivë të re zhvillimi për shtatë fshatra të njësive Shushicë dhe Llakatund.
I pranishëm ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, i cili u shpreh se rruga e re do t’i shërbejë edhe Bazës Ushtarake të Bunavisë, e cila do të ketë rreth 500 forca të emergjencave civile.
“Ështe edhe baza dhe qendra e formimit profesional të të gjithë ushtarakëve, baza e Bunavisë, që do t’i bashkohet edhe një Brigadë e Emergjencave Civile, e dedikuar për qarkun e Vlorës. Praktikisht në këtë bazë do të jenë 500 ushtarakë dhe personel mbështetës, çka e bën një vend ku nevojiten më shumë shërbime.”, u shpreh ministri.
Rama foli edhe për projekte të tjera në këtë zonë.
“Duhet ta përmirësojmë cilësinë këtu, po bëjmë gjithë atë punë me konviktet dhe shkollat profesionale. Do të bëhen konvikte evropiane që kush çon fëmijën në një shkollë profesionale ta ketë në kushte më të mira. Kur vijnë ushtarakët në muajt e parë duhet t’u bëjmë kushtet optimale. Do të bashkëpunojmë me Fondin e Zhvillimit.”, shtoi kryeministri.
Nuk munguan as batutat me qytetarët e pranishëm.
Pjesë nga diskutimi:
Rama: Unë me traditë, pa traditë do ta pi kafen.
Qytetari: Na duhesh edhe shumë vite.
Qytetari: Kemi ndërruar për ty.
Rama: Ke ndërru parti për mua. Dëgjo, parti ka ndërruar edhe Churchill kur e kërkon atdheu. Ju i doni me figurat botërore.
Qytetari: Kemi vite që votojmë një parti.
Rama: Ti je tjetër gjë se të ka qëlluar partia e duhur. Këtij që i qëlloi e gabuar, e ndërroi. Kjo partia e re që kemi ka edhe ata 70 e 40, ka edhe të rinjtë. Je penduar se ke ndërruar parti?
Qytetari: Jo, jo.
Rama: Është i vështirë moment i ndërrimit, por më pas kalon.