Rama i “blen” Metës ish-deputetin e shkarkuar Shkëlqim Selami, i jep leje për ndërtimin e një qyteze në Orikum!

25 Qershor 2025, 21:33Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shkëlqim Selami dhe Edi Rama

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 11 majit nuk ka qenë i rastësishëm në të gjithë Shqipërinë, ku eksponentë të opozitës janë “blerë” dhe janë rreshtuar në krah të mazhorancës. VoxNews ka raportuar disa raste, si rasti i Agim Xhindolit në Lushnje, Agron Çela në Shkodër, apo edhe së fundmi ish-kryetari i PD-së në Vlorë, Genc Deromemaj, që u emërua drejtor Kadastre.

Ndërkohë, në këto radhë do të ndalemi te një emër tjetër, me shumë peshë po në Vlorë, i cili duket se ka braktisur totalisht opozitën dhe vetë ish-kryeministrin e ish-Presidentin Ilir Meta, për t’u bashkuar me kryeministrin aktual Edi Rama. Ai quhet Shkëlqim Selami, deputet i LSI-së i zgjedhur në vitin 2013, teksa u shkarkua në vitin 2016 nga ligji i dekriminalizimit.

Arsyeja e shkarkimit?

S’kishte deklaruar një masë sigurie si pjesëtar i një organizate kriminale në Itali.

Ndërkohë, vitet kaluan dhe Selami kaloi ngadalë me mazhorancën, duke punuar në prapaskenë, duke marrë leje ndërtimi pasi zotëron disa firma që operojnë kryesisht në Vlorë. Ndërkohë, në vitin 2020, disa vite pasi ishte shkarkuar nga deputetlliku, ai themeloi kompaninë Selami Konstruksion dhe 4 vite më vonë, përkatësisht në vitin 2024, ai mori leje nga kryeministri Edi Rama për të ndërtuar një qytezë në Orikum, Vlorë.

Rama i “blen” Metës ish-deputetin e shkarkuar Shkëlqim
Faksimile: Leja e KKTU-së e vitit 2024 për ndërtimin e një kompleksi pallatesh në Orikum, dhënë firmës Selami

Në vitin 2024, Këshilli Kombëtar i territorit dhe Ujit ka miratuar lejen e zhvillimit për ndërtimin e një kompleksi banimi, hotel dhe shërbimesh me 6 dhe 7 kate dhe 1 kat ndërtimi nëntoë, në rrugën Aulona, Orikum. Subjekti zhvillues është firma “Selami Konstruksion” sh.p.k, e themeluar në vitin 2020 dhe me pronar të vetëm z. Shkëlqim Selami.

Në dokumentet shoqëruese është përcaktuar se ku do të bëhet ndërtimi. “Zona ku do të zhvillohet projekti potencial në fjalë ndodhet përgjatë rrugës ‘Orikum’, përkatësisht në zonën kadastrale 2832, në Bashkinë Vlorë. E ndodhur në një largësi prej 14 km në linjë ajrore dhe afërsisht 30 minuta larg qendrës së Vlorës me mjete automobilistike, ajo përbën një pol të ri strategjik për bregdetin” thuhet në dokumente.

Rama i “blen” Metës ish-deputetin e shkarkuar Shkëlqim

Rama i “blen” Metës ish-deputetin e shkarkuar Shkëlqim
Në foto: Projekti i miratuar për Selamin bën fjalë për ndërtimin e një qyteze

VoxNews shfletoi dokumentet e tjera të kësaj leje, ku nuk bën fjalë për ndërtimin e një hoteli apo pallati, por për ndërtimin e një qyteze të re në Orikum. Sipërfaqja është tejet e madhe, me dhjetëra pallate që shtrihen në një sipërfaqe të tejmadhe në hyrje të Orikumit. Prona në fjalë ka qenë mjaft e lakmuar dhe shpeshherë pronarët janë “zënë” edhe me njërin tjetrin për t’a ndarë.

Ndërkohë, VoxNews ka mësuar se pasi Selami ka hyrë në skenë të gjitha zënkat janë sheshuar, ku më pas është marrë edhe leja përkatëse me gjithë lidhjet e ish-deputetit deri lart në kupolën qeverisëse. “Në vijim të zhvillimit të gjithë kësaj zone, paraqitet nevoja e integrimit në të e infrastrukturës së hotelerisë së një niveli bashkëkohor duke konsideruar kërkesat në rritje në raport me këtë destinacion funksional për bregdetin” thuhet në dokumente.

Rama i “blen” Metës ish-deputetin e shkarkuar Shkëlqim
Në foto: Projekti i miratuar për Selamin bën fjalë për ndërtimin e një qyteze

Në leje shkruhet se ndërtimi është i konceptuar për nga tipologjia si një business hotel i vendosur në një ndërtesë shumëkatëshe. “Ai synon të të plotësojë kërkesat jo vetëm të hotelerisë por edhe rezidencave pranë me shërbime komplementare si bare, restorante, SPA, salla konference etj. Me një vendndodhje pranë bregdetit apartamentet luksoze janë në prani të hapësirave të gjelbërta të cilat ofrojnë një atmosferë qetësie” shkruhet në këto dokumente.

Sipas tyre, përdorimi kryesor do të jetë ai i banimit edhe pse këto hapësira do të përfshijnë edhe shumë ambiente të ndryshme shërbimesh në formën e qendrës komerciale. Në hapësirat rezidenciale mund të gjenden larmi të tipologjive dhe madhësive, por mbi të gjitha janë fleksibël dhe mund të riorganizohen në varësi të kërkesave.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video