Kryeministri Edi Rama ka inaguruar ditën e sotme spitalin e ri të ndërtuar në QSUT për sëmundjet e brendshme. Gjatë fjalës së tij, Rama bëri me dije se qeveria po bën gati një program të posaçëm për mjekët e rinj specialist. Për ata që paraqiten çift, Rama thotë se do i mbështesin me marrjen e një shtëpie në kushte krejtësisht të tjera nga ato që ka tregu.
Përveç motivimit me rritje pagash, Rama tha se duhet të plotësojë kushtet në këtë kohë kur ka lëvizje të madhe mjekësh e infermierësh drejt vendeve të Europës.
“Këtë moment mezi e kemi sepse është spitali më i madh që kemi pritur ndër vite. Ta gëzojmë e të ndihen çdo ditë të motivuar për të ardhur në punë. S’dua të zgjatem me investimet apo me zgjatjen e mëtejshme të QSUT se këto i preku pak ministrja por dua të qëndroj pak te mjekët, infermierët, profesorët e nderuar që prej vitesh shërbejnë dhe më vjen shumë mirë që edhe pse vonë do të përgatitemi për një rritje tjetër të rëndësishme të pagës së tyre. Edhe kjo besojmë është e pamjaftueshme ndaj do të publikojmë program të posacëm për mjekët, ushtarakët, punonjësit e policisë, për të garantuar strehimin e mjekëve të rinj specialist natyrisht kur të paraqiten çift.
Për të gjithë çiftet e reja të mjekëve specialist të jenë subjekte të këtij program ku shteti, qeveria do t’i mbështesë për marrjen e një shtëpie në kushte të tjera nga ato të tregut.
Do i japim motivim mjekëve të rinj por besojmë se përtej motivimit, ky është detyrim që shteti do e marrë përsipër në kushtet kur plotësimi i nevojave me shërbim mjekësor e shëndetësor është objektiv që do e arrijmë por edhe sfidë si rezultat e lëvizjeve migratore të mjekëve dhe infermierëve. Ata që kanë lëvizur e kanë shkuar përpara kanë krijuar reputacion shumë të mirë”, tha Rama.
Kryeministri thotë se puna në spitalin publik do të justifikojë shpenzimet dhe mjekët nuk do e kenë më të nevojshme që të punojnë edhe në sektorin publik. Nga ambientet e spitalit të ri për sëmundjet e brendshme në QSUT tha se mjekëve do i paguhen orët shtesë.
“Puna në spitalin publik do të jetë mundësi për të kryer punë në profesion por për t’u shpërblyer përtej pagës. Në këtë mënyrë do të përfundojë historia e ryshfeteve sepse e dimë mirë që s’është e vërtetë dhe e neverithsme shprehja e rëndomtë sa herë del një mjek përpara ‘hë se këta të lënë të vdesësh po nuk fute dorën në xhep’. E dimë se realiteti shëndetësor është ndryshe dhe shërbimi jepet dhe merret në kushtet maksimale për të gjithë pa kushtëzuar dhënien e shërbimit. E dimë që edhe mes bluzave të bardha ka xhagajdurë e të padenjë. Nuk ka pse të paguhet askush nëndorë se mjeku do marrë atë që i takon se do punojë ekstra”, tha Rama.