Presidenti i ri? Veliaj: Na duhet një si Alfred Moisiu

3 April 2022, 12:06Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Presidenti i ri? Veliaj: Na duhet një si Alfred Moisiu

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka bërë identikitin e Presidentit të ri të vendit, teksa në Kuvend nisin në mes të këtij muaji procedurat për pasuesin e Ilir Metës.

Veliaj foli për domosdoshmërinë që figura e Presidentit të jetë mbi palët, në shërbim të qytetarëve, jo konfliktual dhe gardian i Kushtetutës. Këtë profil, sipas tij, e ka pasur më së miri Presidenti Alfred Moisiu.

“Shumë shpejt do të na duhet të mendojmë për Presidentin e ardhshëm të Shqipërisë. Kam dëgjuar debatet që bëhen sot nëpër studiot televizive, apo qoftë edhe brenda partive tona, për të gjetur identikitin e Presidentit të ardhshëm.

Njëri thotë duhet të jetë kështu, tjetri thotë duhet të jetë ashtu, të ketë këtë moshë apo atë moshë, por në fund të gjithë kanë një të përbashkët: kush i do të mirën këtij vendi dhe do të sugjerojë identikitin e Presidentit të ardhshëm të Shqipërisë, thotë: ai duhet të jetë si Presidenti Moisiu sepse besoj se ka një konsensus të jashtëzakonshëm, përtej bindjeve politike, përtej të majtës dhe së djathtës, përtej myslimanëve dhe të krishterëve, përtej veriut dhe jugut, se ai është identikiti i Presidentit që na duhet. Një njeri me rrënjë, një njeri me bosht, me shtyllë kurrizore që është në shërbim të publikut.”– tha Veliaj.

Këto komente Veliaj i bëri të shtunën, teksa ishte i ftuar në Konferencën Ballkanike për Lidership – “Rinia dhe e ardhmja e Ballkanit”, e organizuar nga Federata e Paqes, e drejtuar nga ish-Presidenti Moisiu.


Video