Policia e Shtetit ende nuk po zbaton vendimin e Gjykatës për News24, që t’iu kthejë pajisjet gazetarëve

13 Gusht 2025, 16:03Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Punonjesit e policise te godina e News24

Kur duhet të kishte marrë udhë zbatimi i vendimit të Gjykatës së Tiranës që urdhëronte kthimin brenda 48 orëve të pajisjeve dhe materialeve të sekuestruara nga redaksia e Panorama, asgjë nuk ka lëvizur brenda ambienteve të Panorama Group.

Përkundrazi, situata në terren vijon e tensionuar, ku roli i policisë së shtetit dhe Përmbarimit duket absurde, pasi duhet të ishin në krahun e ligjit duke i dhënë të drejtë gazetarëve të marrin sendet e tyre personale, sikurse thuhet dhe në vendimin e gjykatës.

Megjithëse gjatë ditës së sotme, ambasada të huaja në Tiranë, si Delegacioni i BE-së dhe Ambasada e Holandës si dhe organizata të ndryshme mediatike e civile si BIRN, Instituti i Studimeve Politike, kanë shprehur reagime të forta në mbështetje të gazetarëve të Fokus Media News, kompania KAYO dhe policia e shtetit janë përfshirë në një lojë ping pong të qëllimshme për të penguar gazetarët të rikthehen në vendin e tyre të punës.

BE në reagimin e saj e ka quajtur të rëndësishme që çdo veprim i ndërmarrë të mos cenojë mundësinë e gazetarëve për të ushtruar lirinë e tyre në përcjelljen e informacionit dhe për të ruajtur konfidencialitetin e burimeve të tyre.

“Këto janë aspekte thelbësore të lirisë dhe pluralizmit të medias, që janë kritike për garantimin e shtetit të së drejtës”, tha sot Delegacioni i BE-së në reagimin e saj për situatën e krijuar me mediat e Fokus Media News./Burimi: BalkanWeb


Video