Deutsche Welle: Mbyllja e sinjalit të News 24, sulm ndaj lirisë së shtypit!

12 Gusht 2025, 15:47Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ndërpritet transmetimi i News 24, godina i kalon kompanisë shtetërore të armëve

News 24 pa sinjal transmetimi. Godina e kompanisë medatike e vendosur në ish-Uzinën e Autotraktorëve në lagjen Shkozë të Tiranës, u rrethua nga forcat e policisë, që kërkuan nga punonjësit e medias lirimin e mjediseve.

Që nga ora 07:36’ e së shtunës, transmetimi i kanalit informativ News 24 është ndërprerë, duke shfaqur vetëm shiritat vertikalë me ngjyra që tregojnë mungesën e sinjalit. Grupi mediatik me rreth 250 punonjës, ku përfshihen redaksitë e News 24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, e cilësoi veprimin si një goditje ndaj lirisë së shprehjes. Sipas drejtuesve, autoritetet kanë kërkuar që godina t'i kalojë kompanisë shtetërore "KAYO”, e specializuar në prodhimin dhe tregtimin e armëve.

"Kjo mbyllje sinjali u bë pa një vendim shkresor paraprak, por në formë arbitrare” - deklaroi për mediat drejtoresha e përgjithshme e News 24, Anila Jole.

Reagime të forta nga opozita dhe organizatat e gazetarëve

Me nisjen e aksionit të policisë, analistë dhe drejtues të opozitës e kanë cilësuar ndërhyrjen si një sulm të paprecedent ndaj medias. Reagime kanë ardhur edhe nga organizata dhe shoqata të gazetarëve.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e përshkroi situatën si "një shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”. Organizata theksoi se "ndërhyrja e policisë, që pengon drejtpërdrejt punën e gazetarëve, është e papranueshme dhe përbën presion të hapur ndaj medias së lirë”.

Edhe rrjeti "SafeJournalists Shqipëri” reagoi në facebook, duke e cilësuar situatën si pengesë për qasjen e gazetarëve në redaksi dhe një kufizim të aftësisë së tyre për të punuar. "Veprime të tilla rrezikojnë lirinë dhe pavarësinë e medias,” shkruhet në deklaratën e publikuar në facebook, ku theksohet se rrjeti po e monitoron nga afër zhvillimin e ngjarjes.

Policë dhe një automjet policie qëndrojnë në oborrin e kompleksit të ndërtesave ku ndodhet kompania mediatike News 24 në TiranëPolicë dhe një automjet policie qëndrojnë në oborrin e kompleksit të ndërtesave ku ndodhet kompania mediatike News 24 në Tiranë

"Ne shpresojmë që Gjykata do të marrë një vendim të drejtë të hënën dhe të pezullojë këtë ndërhyrje, për t'i dhënë kohë televizionit që të zhvendoset në një mjedis tjetër” - deklaroi drejtoresha e përgjithshme e News 24, Anila Jole, duke shtuar se transmetimi do të vijojë në platformat sociale.

Avokatura e Shtetit: Kontrata e qirasë për godinën ka përfunduar

Në një deklaratë për shtyp, Avokatura e Shtetit bëri të ditur se kontrata e qiramarrjes së mjediseve të ish-Uzinës së Autotraktorëve nga shoqëria "Fokus Media News” ka përfunduar në vitin 2022. Sipas institucionit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë kishte kërkuar lirimin e godinës deri më 25 korrik 2022, por subjekti nuk e kishte dorëzuar pronën në mënyrë vullnetare.

Çështja është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit, ndërsa vendimi më i fundit, i datës 14 korrik 2025, i Gjykatës së Apelit Administrativ, konfirmoi detyrimin për lirimin e menjëhershëm të ambienteve. Sipas ketij vendimi, nuk cënohet veprimtaria mediatike e shoqërisë, pasi bëhet fjalë vetëm për mjedise pune që mund të sigurohen në hapësira të tjera, në pronësi ose me qira.

"Fokus Media News” e kundërshtoi deklaratën, duke akuzuar Avokaturën e Shtetit për keqinformim dhe duke këmbëngulur se ambientet janë pronë e saj, me dokumentacion të rregullt.

Godina pritet t'i kalojë kompanisë shtetërore "KAYO”, e specializuar në prodhimin dhe tregtimin e armëve. E themeluar në vitin 2024, "KAYO” operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë, duke ofruar produkte dhe shërbime për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe për tregjet ndërkombëtare. Në mars 2025, qeveria miratoi një vendim që i kalon pronësinë e ish-Uzinës së Autotraktorëve kësaj kompanie./DW


Video