
Debatet në Komisionin e Ligjeve kanë shpërthyer me tone të forta pas nismës së deputetit të PS, Erjon Malaj, për ndryshimin e ligjit që prek kompetencat e AKSHI-t.
Sipas shkresës së depozituar në Kuvend, propozohet krijimi i shoqërive operatore TIK, si shoqëri aksionare ku shteti zotëron të paktën 51% të aksioneve. Drafti parashikon që AKSHI “mund të krijojë, të marrë pjesë ose të bashkëpunojë me shoqëri aksionere… dhe t’u kalojë atyre në administrim sisteme, platforma dhe infrastruktura TIK”.
Po ashtu kërkohet shfuqizimi i disa pikave të nenit 29, duke i hequr AKSHI-t kompetencën për kryerjen e prokurimeve të centralizuara dhe lidhjen e kontratave për sisteme, pajisje software dhe hardware.
Deputeti Saimir Korreshi, iu drejtua Malajt me tone ironike: “Një pyetje kam për nismëtarin, me qafsh mu e ke bërë ti këtë propozimin? Se Ulsiu në mëngjes propozoi amnisti për të gjithë, ti solle këtë. E keni idenë e AKSHI-t ju, çfarë ka ndodhur me AKSHI-n? Mban përgjegjësi njeri në këtë vend? Një nga vjedhjet më të mëdha që ka ndodhur në këtë vend është AKSHI, bateria më e madhe është AKSHI… Për mua jeni duke bërë ligjërimin e akteve korruptive.”
Edhe Jorida Tabaku ngriti pikëpyetje të forta mbi sigurinë dhe transparencën: “A është e vërtetë që është një kompani izraelite që ka ardhur dhe punon me AKSHI-n? A është e vërtetë që kjo që po propozoni ju de facto është duke ndodhur? Kush i siguron të dhënat personale të shqiptarëve?”
Ajo paralajmëroi se drafti “jep një autorizim të gjerë për procese që duhet të ishin shtetërore”, duke përmendur vlerën prej “500 milionë euro tendera në vit” dhe duke theksuar se ndryshimet mund të cenojnë sigurinë kombëtare.
Nga ana e tij, Erjon Malaj reagoi duke akuzuar opozitën për politizim të debatit: “Më vjen keq për mënyrën si e shtroni çështjen. Mu drejtuat me fjalët: ‘si ju shkoi mendja të propozoni këtë ligj’. Po aq sa është eksperte zonja Tabaku për nismat ligjore që sjell për akcizën e birrave aq jam dhe unë për AKSHI-n.”