Parti Demokratike ka kërkuar këtë të hënë pezullimin e procesit të përgatitjes së zarfave me materialet zgjedhore për votuesit nga jashtë, pas një parregullsie të konstatuar.
Kërkesa në fjalë i është bërë nëpërmjet e-mailit kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi.
“Nga ana e vëzhguesve tanë jemi informuar se gjatë procesit të përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor për votuesit nga jashtë ka pasur një problematikë që lidhet me printimin dy herë të label-it të adresës që në terma praktikë nënkupton që një zgjedhësi mund t'i shkojnë dy zarfe (dy fletë votimi), duke rrezikuar kështu që të kemi më shumë vota se numër zgjedhësish. Sipas vëzhguesve tanë janë identifikuar 14 raste, por mund të ketë edhe të tjerë”, thuhet në emailin në fjalë, teksa kërkohet pezullimi i procesit.
Por përkundër kësaj kërkese procesi në pallatin e sportit "Feti Borova" vijon teksa burime nga PD thanë se po mbahen procesverbale për çdo rast parregullsie. Lidhur me këto pretendime janë informuar edhe përfaqësuesit e OSBE/ ODIHR.
Nga ana tjetër burime pranë KQZ i thanë Top News se është një keqkuptim, pasi bëhet fjalë për 2% më shumë të zarfave dhe materialeve zgjedhore të printuara, që qëndrojnë në KQZ në rast se materialet zgjedhore dëmtohen para se të nisen, në mënyrë që të zëvendësohen.
Të njëjtat burime thanë se sistemi i operatorit postar, nuk e lejon që një votuesi t’i shkojnë dy vota.