Kandidati i Partisë Socialiste Halit Valteri ka denoncuar sot një problematikë që sipas tij po ndodh në Valias me rindërtimin.
Në studion e “Breaking” me Fiori Dardhën në Top News ai tha se do të jetë zëri i çdo qytetari që nuk ka mundësi të ngre zërin.
“Dje kam qenë në Valias, ku ka problematika me rindërtimin. I kam nisur një shkresë zyrtare bashkisë së Kamzës dhe nëse gjej një problematikë, i pari që do ta bëj kallëzimin e tij jam unë. Nuk më intereson kush është kryetar bashkie apo kë përfaqëson ai. Sepse dua të jem zëri i atyre qytetarëve që nuk kanë guximin të denoncojnë, SPAK-u duhet t’i ofrojë ndihmë çdo qytetari që të denoncojë në anonimitet”.
Përksa i përket Strukturës së Krimeve zgjedhore të ngritur nga SPAK, Valteri paralajmëroi se para zgjedhjeve në rrjetën e SPAK do të bien disa figura që e mendojnë veten të paprekshëm.
“Struktura për krimet zgjedhore uroj të godasë çdokënd, i cili përdor paratë për vota. Këtu mjafton të jesh një biznesmen i suksesshëm dhe mund të përfaqësohet në kuvend. Nuk është kjo politika që duam, duam njerëz që përfaqësohen nga populli, që denoncojnë problematikat. Unë po të paralajmëroj që në rrjetën e krimeve zgjedhore do të bien figura që e mendojnë se janë të paprekshëm e që kanë mbajtur për 30 vite pushtetin".