
Gjykata Kushtetuese dy rrugë kishte, ose ta shkarkonte Metën, ose të rrëzonte raportin e Presidentit. Kishte nga ata që prisnin shkarkimin, të tjerë që prisnin vendimin që dha. Por, e përbashkëta mes të dyja palëve ishte se askush nuk priste një vendim 6 me 1.
Vendimi thuajse unanim i gjykatës tregon se i gjithë arsyetimi ligjor e juridik i përdorur nga socialistët që pas prillit në fushatën masive që ndërmorën kundër Metës ishte nul, sipas Gjykatës Kushtetuese.
Veç anës pozitive që ka për Ilir Metën, po ky vendim ka disa anë pozitive edhe për shqiptarët. Së pari, vendimi i Kushtetueses kursen të paktën për disa muaj kapjen e një tjetër institucioni nga mazhoranca, që aktualisht veç qeverisjes së vendit zotëron edhe të gjitha bashkitë e vendit dhe “oreksi i ka ardhur duke ngrënë”.
Vendimi tregoi nga ana tjetër se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht nëse në këtë institucion janë emëruar nga Presidenti Meta, apo nga socialistët në Kuvend nuk votuan mbi baza partiake e politike, kjo e konfirmuar edhe nga Ambasada e SHBA, që tha përmes një reagimi se gjykata “tregoi integritet, profesionalizëm dhe pavarësi” në këtë rast.
Ana tjetër pozitive është që vendi nuk do të shkonte me një president e kryetar Kuvendi me gjasa për tre muajt e ardhshëm. Sipas Kushtetutës, nëse Meta do të shkarkohej vendin e tij do ta zinte Lindita Nikolla. Kjo e fundit është boll e angazhuar në drejtimin e seancave plenare, që shpesh po i dalin jashtë kontrollit.
Vendimi i Kushtetueses për ta lënë në detyrë Metën i jep atij mundësi që të vazhdojë edhe më tej degradimin politik, që e ka nisur që prej kohës kur si President i zgjedhur bëri fushatë për Lëvizjen Socialiste për Integrim në 2017-n.
Së pesti, Kushtetuesja konfirmoi me këtë vendim se Parlamenti i kaluar, pas djegies së mandateve të opozitës u kthye në një parlament jo vetëm qesharak, por edhe të rrezikshëm për qytetarët dhe ndoshta do të ishte mirë që të gjithë ligjet e miratuara nga ky Kuvend pas djegies së mandateve të opozitës të kalonin në Kushtetuese për të vlerësuar kushtetueshmërinë e tyre.
Sa për Metën, të gjithë ata që mund të mendojnë, t’i gëzohen, apo të shqetësohen se Meta korri një fitore të kujtojnë raportet e tij me Ambasadën Amerikane në Tiranë. Meta duket i shpallur “non grata”, por pritet vetëm zyrtarizimi.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.