
Partia Demokratike ka tërhequr mbështetjen ndaj Endri Shabanit për postin e Avokatit të Popullit. Vendimi u mor sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Kandidatura e Shabanit u zyrtarizua me 35 vota deputetësh opozitarë, shumica janë firma nga deputetë të Partisë Demokratike, të cilat janë tërhequr tashmë.
Ky vendim vjen pas refuzimit të formulës së propozuar nga Partia Demokratike për zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Sqarimi për mediat:
Për shkak të interesit të mediave mbi kandidatët për Avokat Populli, ju sqarojmë se:
Nënshkrimet e deputetëve të opozitës janë dhënë përpara kualifikimit të kandidatëve nga Komisioni i Ligjeve, pavarësisht se kur kandidatët vetë i kanë depozituar në Kuvend dhe një pjesë prej tyre i kanë përdorur në kundërshtim me ligjin si propozim për votim (gjë që nuk është e vërtetë) në kuptim të nenit 9 të ligjit për Avokatin e Popullit.
Pas vendimit të Komisionit të Ligjeve, që i është njoftuar zyrtarisht grupeve parlamentare, që “1 deputet mbështet vetëm 1 kandidat sipas ligjit”, deputetët e opozitës kanë tërhequr të gjitha nënshkrimet e dhëna paraprakisht, dhe kanë propozuar ndërtimin e një procesi transparent përzgjedhje mazhorancë-opozitë. Mbetemi në pritje të përgjigjes institucionale të Kryetarit të Kuvendit për të proceduar më tej.
Tërheqja e nënshkrimeve depozitohet zyrtarisht në Kuvend.