Aktivistja republikane, Evi Kokalari është shprehur se ishte e pritshme që përzgjedhja e kandidatëve të PD përmes primareve të haste në vështirësi si një proces i zhvilluar për herë të parë.
Sipas saj, zbulimi i manipulimeve të Belind Këlliçit në Këshillin Kombëtar ishte një gjë për të cilën demokratët u ndërgjegjësuan dhe nuk ishin dakord që kjo të vazhdonte të ndodhte.
“Primaret dhe ndoshta është normale gjithë kjo zhurmë deri sa demokratët të gjejnë vetën në proces. Shumë demokratë i duan primaret se edhe PD dhe PS kanë ekzistuar sipas frymës së kryetarit. Ndaj është një gjë shumë e madhe dhe e mirë”, tha Kokalari.
Ajo deklaroi më tej se nuk e mbështet dhe nuk është pro koalicionit mes PD-së dhe Partisë së Lirisë. Kokalari nënvizoi se PD nuk duhet të jetë keq për 100 mijë vota që ka Partia e Lirisë në terren. Ajo nënvizoi se PD nuk duhet të jetë në pozitën e dëshpërimit dhe në terren duhet të kërkojë votat e saj.
“Fillimisht kam qenë pro kohët e fundit nuk jam dhe aq pro për shumë gjëra që kanë ndodhur për shumë arsye. Kam kuptuar shumë gjëra. Personalisht nuk më kanë ngrohur. Nuk them që është koalicion që do e ndihmojë. Herën e fundit LSI në 2021 ka pasur 100 mijë vota dhe kam idenë që PD nuk duhet të jetë në pozitën e dëshpërimit për 100 mijë vota. PD mund të kërkojë votat e saj”, tha ajo në një intervistë për Euronews Albania.
Evi Kokalari deklaroi se nuk është ndarë nga Sali Berisha apo PD-ja por duhet të kthehej në SHBA për të vijuar me jetën që ka ndërtuar atje.
“Nuk ndodhi absolutisht asnjë gjë përveç faktit që ishte një fakt i ditur, të paktën nga grupi i foltores, grupi i ngushtë i foltores që unë nuk kisha ndërmend të kthehesha, megjithëse i kisha mundësitë dhe më ishin dhënë mundësitë që të fusja kandidaturë. Jo se nuk e mendova por e kisha të vështirë që të lija gjërat në Amerikë për një post politik. Nuk ka pse të shkëputem me Sali Berishën sepse unë prej Sali Berishës erdha. Ai riktheu partia, hoqi Lulzim Bashën. Unë ngelem me Berishën. Unë nuk mund të sqaroj çdo njeri”, tha më tej Kokalari.
Ajo theksoi se i ka dhënë shumë ndihmë Berishës por nuk mund të prekë integritetin e saj.
“Në PD nuk me flet askush. Unë i kam dhënë një ndihmë shumë të madhe Berishës, por integritetin tim nuk e prek. Unë nuk kam kërkuar ndonjëherë karrige”, u shpreh ajo.