Një fatkeqësi të madhe. Kështu e ka konsideruar ish-kryeministri Sali Berisha ngritjen e flamurit të BE-së nga kryeministri Edi Rama para Kryeministrisë paraditen e sotme.
Gjatë një takimi me të rinjtë në Durrës, Berisha u shpreh edhe një herë se e konsideron Ramën armik, por vetëm atë dhe jo socialistët e tjerë.
“Edi Rama sot ngriti flamurin e BE para Kryeministrisë. Ai flamur është flamur vlerash, i vlerave, i thesareve kulturore në radhë të parë të paçmuara, është flamur i vlerave njerëzore të lidhura me lirinë. E vërteta është që, fatkeqësi më të madhe për atë flamur se ta mbante sot në dorë Edi Rama nuk kishte.
E kam deklaruar në 7 korrik, armik, e kam thënë me bindjen më absolute, është armik sepse nuk lejon shqiptarët të votojnë. Liria votën ka. Nëse nuk ke votën, nuk ke liri, nuk ke dinjitetin. Edhe pushtuesit të lejonin të votoje, por të caktonin një përfaqësues të pushtuesit. Ky faktikisht pasi shkelmoi votën e shqiptarëve e përzuri nga PS. Nuk i konsideroj socialistët armiq, konsideroj Edi Ramën sepse dhe atyre ua hoqi votën”, tha Berisha.
Sa i përket mungesës së opozitës në Konferencën e Parë Ndërqeveritare, Berisha u shpreh se do të shkonte në Bruksel nëse do ftohej nga Rama, por nuk do të shtrëngonte dorën me të.
“Shkoi në Bruksel si monist, njëlloj sikur të shkonin paraardhësit e tij. Mos u çuditni. Do ju tregoj një gjë nga historia, por të vërtetë. Nga viti ’86, qeveria hungareze dhe qeveria rumune, zhvillojnë tratativa të fshehta me Brukselin për t’i pranuar në BE. Brukseli u përgjigj, jo, tha, ju nuk mund të pranoheni sepse jeni në sferën e Bashkimit Sovjetik. I vetmi vend, e thanë në konfidencë, nga ish-komunistët që mund të pranohet është Shqipëria...por Shqipëria ishte armik me të gjithë botën. Nuk ka dyshim që ky shkoi si monist në Bruksel. Ndaj unë e kam shpallur atë armik të lirisë së shqiptarëve.
Natyrisht, po të ftonte do shkoja. Por ta harrojë se do të kishte shtrëngim duarsh me mua. Nuk mund të ndodhte kurrë ajo. Do të shkoja për të përfaqësuar ju, aspiratat demokratike të shqiptarëve. Pra, shkoi si monist, u kthye si monist. Natyrisht me dosjen në shpinë të inceneratorëve, me dosjen e Portit të Durrësit”, tha Berisha.