
Komisioni Anti-Korrupsion me drejtues Fatmir Xhafajn zhvillon sot mbledhjen e parë të konstituimit. E pranishme është edhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe ministrja Elisa Spiropali.
Opozita ka bojkotuar, por Xhafaj u bëri edhe njeherë thirrje që të ulen në tryeze për të punuar për çështje jetike për të ardhmen e vendit.
"Roli i opozitës është tejet i rëndësishëm, pjesëmarrja me rëndësi për qëllimet që do adresojë kjo reformë. I keqardhur që opozita nuk i është përgjigjur kësaj ftese për bashkëpunim, këtij detyrimi të përbashkët për angazhim në këtë komision që buron nga kushtetuta dhe rregullorja e kuvendit. Ky komision do adresojë çështje me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit, përtej interesit të partive tona, i shërben forcimit dhe modernizmit të shtetit, të ardhmes së vendit tonë.
Kjo situatë me sjell një situatë të ngjashme kur filloi veprimin në 2014 komisioni për reformën në drejtësi, opozita edhe atëherë në 2014, megjithëse e kishte votuar ngritjen nuk mori pjesë në mbledhjen e parë dhe disa të tjera. Reflektuan me vonesë dhe përfshinë më pas. Koha tregoi që kolegët tanë të opozitë gabuan dhe kjo u kushtoi shumë politikisht dhe elektoralisht. Shpresoj që kjo shistori të mos përsëritet dhe shume shpejt ta kemi opozitën mes nesh", tha Xhafaj.
Komisioni ka 11 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita, komision me afat 10 mujor. Anëtarët e këtij komisioni janë kryetarët dhe zv.kryetarët e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Evropian.