Edhe pse numri i telefonit i vënë në përgjim nga Prokuroria është i tij, në lidhje me masakrën me tre të vrarë në Elbasan në vitin 2016, sërish Taulant Balla mohon akuzat se bëhet fjalë për të.
Ai tregon versionin e tij për sa i përket këtyre pretendimeve, duke thënë se bëhet fjalë për një deputet i PD-së.
“Nuk ka asnjë gjë të vërtetë në të gjithë këtë histori të gatuar nga kuzhina e babalerisë së Sali Berishës. Përballja me Sali Berishën të bën të përballesh me trillime çnjerëzore të këtij niveli. I jam drejtuar gjykatës. Në këtë rast mbajeni mend, do të dalë dhe do të thotë që nuk ka qenë Taulant Balla por ka qenë një deputet i Partisë Demokratike”. tha Balla në A2.
Kujtojmë se rreth tre javë më parë, Ardian Çapja, dha një dëshmi tronditëse në gjyq, ku sipas tij, emri i politikanit "Taulant", dilte në përgjimet e ngjarjes së ndodhur më 3 Shkurt të vitit 2016 në Elbasan, ku në një lokal ku qëndronin miq dhe të afërm të familjes Çapja ndodhi një masakër me tre të vrarë dhe tetë të plagosur. Ai shtoi më tej se ky politikan mund të ketë gisht në ekzekutimin e avokatit Revik Gurra.
Më pas në media u publikuan dokumentet, ku numri i emrit "Taulant" i cili ishte vënë në përgjim, i përkiste kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Ballës. Ai ishte mbajtur për 58 orë e 50 minuta në përgjim dhe më pas me një vendim të dyshimtë të gjykatës ato ishin asgjesuar.