'Nesër të gjithë para Parlamentit', Berisha: Vetëm me rrugë janë grabitur 9 miliard euro

12 February 2023, 19:34Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
'Nesër të gjithë para Parlamentit', Berisha: Vetëm
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në protestën e ditës së nesërme përpara Parlamentit, e cila sipas tij bëhet për të mbrojtur institucionin dhe Kushtetutën.

Gjatë fjalës së tij në një takim me degët e Tiranës, Berisha u shpreh se në Shqipëri vetëm me rrugët janë vjedhur 9 miliard euro.

Ai shtoi se në administratën shtetërore ka presione mbi punonjësit për të firmosur për vjedhjet e shefave të tyre dhe ftoi qytetarët që të takohen me këta punonjës e t’i japin atyre kurajo.

“Këtyre sigurisht, edhe këta gjyhen me domate dhe me vezë dhe ju vihën tabela përreth. Njerëzit duhet të shprehin pakënaqësinë e tyre. Kudo që janë duhet të ndihen të pasigurtë këta. Ka rëndësi të jashtëzakonshme të zhvillojmë një bashkëbisedim me çdo qytetar. Duhet durim, por revolucioni paqësor nuk dështon kurrë, fiton.

Ne duhet të insistojmë. Edhe ne e kemi përgjegjësinë tonë këtu, ne kemi ndenjtur 9 vite. Të jemi të hapur, nëse një qeveri funksionon me rregull mund të rrijë edhe 14 apo 16 vite. Ne në 10 vite qëndruam me një qeveri që kalonte nga skandali në skandal.

Një qeveri që ka vjedhur vetëm me rrugë 9 miliard euro. Bilanci i ekspertëve të pavarur. Një rrugë që është nisur për 74 milion, ka përfunduar për 350 milion. Autostrada Tiranë-Elbasan, ku kishin mbetur vetëm 7 kilometra, pasi të tjerat kishin përfunduar, mbaroi me 450 milion euro.

Tani ne e nisëm këtë revolucion, i cili është e sigurt që do të na çojë në fitore. Duhet të jemi të kthjellët. McGonigal nuk ishte i izoluar. Mbi bazën e manipulimeve të tij dhe George Soros u morën vendime nga më të turpshmet. Mos mendoni se do të ketë tërheqje, përkundrazi.

Nëse ne nuk dilnim më 6 dhjetor, nuk do të kishte këtë dimension 11 shkurti. Prapë do të kemi vështirësi, kurthe e sulme, por do të qëndrojmë të pamposhtur në të drejtën tonë. Shqipëria për fatin tonë më të keq nga Edi Rama, u bë shembulli më i keq sesi aleanca me element ndërkombëtarë u përdor kundër opozitës.

Aty vidhet, aty mbushet thesi me para, aty bëhen vilat. Të gjitha këto duhet të jenë çështje debate mes jush. Ka një terror në administratë. Duhet të takoheni me punonjësit e administratës. Duhet t’ju jepni zemër e kurajo. Një pjesë po ikën nga administrate, pasi po i kërkojnë të firmosin për vjedhjet e tyre.

Nesër ftoj çdo qytetarë që të vijë në protestë si dëshmi e vullnetit për të mbrojtur Parlamentin dhe Kushtetutën. Ne do të qëndrojmë dhe revolucionin do ta vijojmë kudo që ndodhemi. Mirënjohje për kontributin tuaj të ditës së djeshme, por ky revolucion nuk mund të ndalet deri në fitoren e tij”, u shpreh Berisha.


Video