Ndarja nga jeta e ish-kryeministrit të Kosovës, Majko: Bukoshi, një njeri që tejkaloi veten!

10 Qershor 2025, 10:50Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bujar Bukoshi

Ish-kryeministri në ekzil i Kosovës, Bujar Bukoshi ka ndërruar jetë në moshën 78 vjeçare.

Në lidhje me ngjarjen e trishtë ka reaguar Pandeli Majko, i cili e quan Bukoshin si ‘një njeri që tejkaloi veten’, si dhe ‘një zgjedhje e mençur e Ibrahim Rugovës në rrugën e vështirë që Kosova kishte përpara!’

Më tej Majko shprehet se ‘Sot, Kosova ka humbur një politikan të dorës së parë i cili nuk imitoi askënd’.

Bujar Bukoshi ka ndruar jetë! Kryeministri i parë i Republikës së Kosovës ka qenë një njeri që tejkaloi veten!

Vdekja për cilindo është ajo që ndodh në fund! Për Bujarin, është stacioni i fundit për të kuptuar si bëhet njeriu ai që është!

Bujar Bukoshi ishte një zgjedhje e mençur e Ibrahim Rugovës në rrugën e vështirë që Kosova kishte përpara!

Edhe për këtë arsye Bujari u bë kryeministri Bukoshi i cili pati një jetë të paprecedentë për të parë të gjitha të vertetat që një individ mund të durojë!

Bujar Bukoshi ishte kryeministër i një shteti që nuk ekzistonte duke qenë një “lajmës” i çuditshëm për atë që po vinte për Kosovën!

E shkuara është peshë! Nuk mund të “notosh” po nuk e mbajte mbi shpinë!

Në kohët kur duket se na përkufizojnë gënjeshtrat dhe sekretet, Bujar Bukoshi është ndër të vërtetat që ka prodhuar historia e Kosovës!

Kopja tingëllon si një melodi e kënduar nga një fëmijë, e kompozuar nga dikush tjetër!

Sot, Kosova ka humbur një politikan të dorës së parë i cili nuk imitoi askënd!

Për Bujar Bukoshin, meritat vlejnë më shume se dobësitë e tij! Ai kishte bërë paqe me veten dhe të kaluarën!

Sot, Kosova ka humbur një protagonist të historisë së saj! Lamtumirë Bujar”, shkruan Majko.

Video