Ndarja nga jeta e Fatos Nanos, reagon familja e Hashim Thaçit: Dha kontribut historik për Kosovën në periudhën e paraluftës dhe luftës

1 Nëntor 2025, 19:33Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fatos Nano dhe Hashim Thaçi

Familja e Hashim Thaçit ka ngushëlluar me anë të një mesazhi familjen Nano, pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano ditën e djeshme.

“Me shpirtin reformator, tolerancën dhe kulturën politike moderne, ai dha shembullin e një lideri të pjekur, duke i hapur udhë brezit të ri politik”, lexohet në mesazhin e familjes Thaçi.

Familja Thaçi ka kujtuar gjithashtu mbështetjen që Nano i dha çështjes së Kosovës gjatë periudhës së vështirë të paraluftës dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, duke e konsideruar atë si një kontribut të rëndësishëm në historinë dhe unitetin e kombit shqiptar.

“Përkrahja që z. Nano i dha çështjes së Kosovës në periudhën e paraluftës dhe luftës së viteve 1998–1999 është historike dhe kontributi i tij mbetet një trashëgimi e çmuar e vlerave tona kombëtare”, thekson familja Thaçi.

Mesazhi i plotë:

E nderuar Familje Nano,

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.

Në këto ditë dhimbjeje, në emër të Familjes Thaçi dhe të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta juve, përfaqësuesve të institucioneve të shtetit shqiptar dhe miqve të z. Nano.

Fatos Nano i përket gjeneratës së liderëve që me sukses transformuan politikën shqiptare në kthesat historike nga sistemi monist në një shoqëri demokratike pluraliste. Me shpirtin reformator, tolerancën dhe kulturën politike moderne, ai dha shembullin e një lideri të pjekur, duke i hapur udhë brezit të ri politik.

Përkrahja që z. Nano i dha çështjes së Kosovës në periudhën e paraluftës dhe luftës së viteve 1998–1999 është historike dhe kontributi i tij mbetet një trashëgimi e çmuar e vlerave tona kombëtare.

Kujtimi për ish-kryeministrin shqiptar, Fatos Nano, do të mbetet gjithmonë i përjetshëm.

Me respekt të thellë,

Familja Thaçi

 


Video