Bardhi: Pse Edi Rama nuk ka fuqinë ta shkarkojë Belinda Ballukun

1 Nëntor 2025, 17:21Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bardhi, Rama dhe Balluku

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar sërish për marrjen nën hetim nga SPAK të zëvëndëskryeministres Belinda Balluku.

Bardhi hedh akuza se kryeministri Edi Rama nuk e shkarkon dot zv. kryeministren Balluku, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, sepse sipas tij, janë bashkëpunëtor në korrupsion.

Reagimi i Bardhit:

Shkelja e barazisë në tendera ka vetëm një arsye pse bëhet: Korrupsionin. Këto dy krime janë të lidhura pazgjidhshmërisht nga njëri-tjetri. Prandaj, është në detyrimin e Prokurorisë së Posaçme për të hetuar dhe provuar se të paktën 50 milionë eurot e zhdukura në Tunelin e Llogarasë janë korrupsion i pastër i personit që ka krijuar pabarazinë në tender dhe i personit që e ka ideuar këtë. Të dy kanë emër: Belinda Balluku dhe Edi Rama.

Bashkëpunimi në korrupsion jo vetëm në Tunelin e Llogarasë ia ka lidhur duart Edi Ramës. Ai nuk po e bind dot krahun e tij të djathtë të punëve të pista të japë dorëheqjen, por as nuk ka fuqinë ta shkarkojë. Të dy i bashkon korrupsioni. Të dy janë peng i njëri-tjetrit dhe po i japin kohë vetes për pakte korruptive dhe mafioze.

Është në detyrën e Prokurorisë së Posaçme që 50 milion euro tarifë korrupsioni në projektin e Tunelit të Llogarasë t’i gjejë në xhepat e drejtuesve më të lartë të qeverisë, të bëjë drejtësi dhe të bëjë të mundur rikthimin në buxhet të gjësë së vjedhur me firmën e Belinda Ballukut dhe bekimin e Edi Ramës.


Video